9 Maj

1 komente

Credins kalon Raiffeisen dhe tani është banka e dytë më e madhe në vend

Autor Ersuin Shehu

9 Maj, 2020

kryesore

Tremujori i parë ka sjellë ndryshime domethënëse në renditjen e bankave tregtare për nga madhësia. Mbështetur në të dhënat e paaudituara, të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Credins Bank këtë tremujor ka kaluar Raiffeisen dhe është aktualisht banka e dytë më e madhe në Shqipëri.

Në fund të marsit, Credins Bank raportonte një total aktivesh prej 237.5 miliardë lekësh ose 15.3% të tregut. Credins Bank ngelet njëkohësisht edhe huadhënësi më i madh në ekonominë shqiptare, me një portofol huaje prej 106.6 miliardë lekësh ose 18.5% të totalit të portofolit të kredisë bankare.

Raiffeisen tashmë renditet banka e tretë për nga madhësia, me vlerë totale aktivesh 232.5 miliardë lekë ose rreth 14.9% të tregut bankar shqiptar. Megjithatë, Raiffeisen po shfaqet më aktive në kreditim dhe ka konsoliduar pozitën e vetë si  huadhënësi i dytë më i madh në ekonomi, duke lënë pas Bankën Kombëtare Tregtare.

BKT ngelet ndërkohë banka më e madhe në vend, me një total aktivesh prej 415 miliardë lekësh. Megjithatë, pjesa e BKT ka zbritur në 26.7%, nga 27% që ishte në fund të vitit të kaluar.

Intesa Sanpaolo vazhdon të mbajë vendin e katërt për nga madhësia, me 12.3% të aktiveve, e ndjekur nga OTP Bank me 6.2%.

ABI Bank dhe Tirana Bank këtë tremujor kanë kaluar me një diferencë të vogël Alpha Bank dhe tashmë pozicionohen përkatësisht si banka e gjashtë dhe e shtatë më e madhe në vend.

Pjesa e tregut e bankave, sipas totalit të aktiveve.

BKT26.7%
Credins15.3%
Raiffeisen14.9%
Intesa Sanpaolo12.3%
OTP6.2%
ABI Bank5.1%
Tirana Bank5.1%
Alpha Bank5.1%
Union Bank4.4%
Fibank2.1%
ProCredit Bank2.1%
UBA Bank0.6%
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Në tërësi, sistemi bankar ka regjistruar një rritje të konsiderueshme në tre muajt e parë të këtij viti. Totali i aktiveve arriti në 1.56 trilionë lekë, 4.2% më shumë (rreth 62 miliardë lekë në vlerë absolute) më shumë në raport me fundin e vitit 2019. Megjithatë, rritja relativisht e lartë është edhe efekt i një mbiçmimi të ndjeshëm të euros në fund të muajit mars, kur janë mbyllur edhe raportimet financiare tremujore. Mbiçmimi i euros ka rritur vlerën e shprehur në lekë të aseteve në monedhën europiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

  1. Ju uroj suksese te metejshme. Une kam qene dhe jam klienti juaj panvarsisht se kohet e fundit banoj ne München gjermani. Per mua ju ini Banka e pare ne shqiperi per komunikimin me klientet. Sidomos zoti Xhafa e zonja Ushe me te cilet kam komunikuar. Respekte per Stafin tuaj. Ju pershendes Behar Çaçollari München Deutschland.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes