“Intendenti” është një film i realizuar në vitet ’80 në Shqipërinë socialiste. Nuk është film shumë i njohur, por është dëshmi e absurdit të sistemit që do të instalohej në Shqipëri për mbi 45 vjet. Filmi zhvillohet në kohën e luftës nacional-çlirimtare dhe bën fjalë për një tregtar fshati, i cili përvetëson ushqimet e spitalit partizan, që një intendent ia kishte lënë në ruajtje.
Xha Zeneli, një anëtar i shtabit nacional-çlirimtar të zonës i kërkon llogari intendentit se përse nuk e kishte pushkatuar tregtarin Salo Pashai në vend. Intendenti i përgjigjet se, përveçse tregtari nuk ishte partizan, por fshatar i thjeshtë, nuk kishte ligj që i jepte intendentit të drejtën për të pushkatuar njerëz. Atëherë Xha Zeneli, i hipur majë mushkës, kap pushkën që kishte në sup dhe i përgjigjet: “Në kohë lufte, ligji është këtu, në grykë të pushkës!”
Me këtë shprehje mund të shpjegohet trimëria e radhës e Kryeministrit, që të enjten urdhëroi qiradhënësit të mos kërkojnë qiranë për pronën e tyre, ose në të kundërt do gjobiten sa pesë hera vlera e qirasë! Sigurisht që ky urdhër ka lënë me gojë hapur këdo që ka pesë klasë shkollë, pa folur për juristët dhe njohësit më të thelluar të ligjeve.
Qeveria nuk mund të nxjerrë urdhëra për të rregulluar një marrëdhënie civile mes dy subjektesh private, siç është kontrata e qiradhënies.
Kjo është hera e dytë që kryeministri lëshon urdhëra arbitrarë dhe pa asnjë bazë ligjore. Hera e parë ishte në mesin e muajit mars, kur së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë nënshkruan një urdhër që i detyronte bankat të shtynin këstet e kredive për tre muaj.
Ndonëse urdhëri ishte hapur i kundërligjshëm, bankat e kuptuan se nuk kishin zgjidhje tjetër, sepse dëmi ishte bërë dhe nuk iu interesonte të hapnin luftë me qeverinë në këtë moment. Ndaj, kafshuan gjuhën dhe e pranuan urdhërin, madje disa prej tyre nxorrën komunikata ku “mirëprisnin urdhërin e përbashkët të Kryeministrit dhe Guvernatorit”.
Ndërkohë që po bëhet bamirës i madh për paratë e të tjerëve, deri tani kryeministri as nuk ka falur dhe as nuk ka shtyrë ndonjë detyrim ndaj sektorit publik, siç mund të jenë taksat, tatimet apo faturat e shërbimeve utilitare.
Nga ana tjetër, në një kohë kur qeveritë e gjithë botës po miratojnë paketa energjike për të ndihmuar bizneset dhe familjet të përballojnë krizën e COVID 19 me sa më pak dëme, qeveria shqiptare ka vendosur të japë vetëm pagën minimale për një pjesë të biznesit të vogël.
Ndërsa atyre që punojnë në biznese të mëdha iu thuhet se duhet të shkojnë te pronarët dhe t’iu kërkojnë të shkojnë të marrin kredi në bankë për të paguar rrogat!
Nuk e di në cilën Botë biznesi i mbyllur me urdhër të shtetit dhe që nuk gjeneron asnjë qindarkë, do të shkonte të merrte kredi në bankë, për të paguar punëtorët që rrinë në shtëpi! Kjo logjikë absurde e Ramës dhe e kryementorit të tij për ekonominë, Arben Ahmetaj, do të lërë me siguri pa rrogë dhjetëra mijëra punonjës për muajt mars dhe prill.
Edhe po të supozojmë se ndonjë biznesi mund t’i leverdisë ta shfrytëzojë mundësinë për kredi me garanci sovrane, me siguri nuk ka për t’i përdorur paratë për të paguar punëtorët që s’punojnë, sepse nuk i lejon qeveria.
Ndërsa kudo qeveritë po marrin përsipër faturën e kësaj situate të paprecedentë, për të shmangur rrënimin e ekonomisë dhe dramën sociale, Kryeministri ynë po përpiqet sa më shumë që është e mundur t’ua ngecë faturën private, që nga bankat dhe ndërmarrjet e mëdha dhe deri tek qiradhënësit që jetojnë me të ardhurat nga pronat e tyre.
Të kuptohemi qartë, kjo është një situatë që kërkon buonsensin e të gjithëve. Një pronar që ka dhënë dyqanin me qira te një biznes i mbyllur natyrisht që nuk ka për t’ia kërkuar qiranë gjatë kohës që qiramarrësi nuk zhvillon aktivitet: jo për humanizëm, por sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Edhe po të duash, sot nuk gjen dot qiramarrës më të mirë, sepse bizneset e vogla të shërbimeve shteti i ka mbyllur pothuajse të gjitha.
Por, pagesa ose jo e qirasë duhet të ngelet mes palëve, sepse shteti në këtë rast nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë. Eventualisht, e vetmja gjë që mund të bënte do të ishte t’i paguante bizneset e vogla ose familjet mjaftueshëm për t’i dhënë një qira, qoftë edhe të pjesshme, pronarit. Por, Kryeministri ka vendosur ta zgjidhë këtë problem me mënyra të ligjshme, zgjedh sërish t’i ndajë gjëra me “sëpatë të madhe” dhe të jashtëligjshme.
Sa më shumë presim që Rama të marrë masa të vërteta për të shpëtuar ekonominë, aq më shumë ai që është vetëshpallur “babai ynë” gjen mënyra për të rënduar të tjerët, me urdhëra arbitrarë. Po qe kështu, Zoti na ruajtë nga planet B dhe C!