4 Mars

0 komente

Vodafone pagoi 60 milionë euro: Abcom u shit më shtrenjtë se Telekom dhe se Tirana Bank.

Autor Ersuin Shehu

4 Mars, 2020


Vodafone Albania pagoi shumën rekord prej 60 milionë eurosh për blerjen e operatorit të dytë më të madh të internetit me linja fikse në vend, Abcom.

Megjithëse në vitet e fundit janë regjistruar disa shitblerje në sektorët strategjikë të ekonomisë, shitja e Abcom ka tejkaluar për nga vlera edhe atë të ndërmarrjeve më me emër.

Shitja më e rëndësishme në vitet e fundit në sektorin e telekomunikacioneve ka qenë ajo e Telekom Albania, që në vitin 2019 u ble nga konsorciumi bullgar Albania Telecom Invest për 50 milionë euro.

Megjithatë, çmimi i shitjes së telekom Albania u ndikua edhe nga qeveria shqiptare, që nuk pranoi të jepte miratimin për shitjen te ofertuesi më i lartë, që pati qenë Telekom Srbija, me rreth 61 milionë euro.

Çmimi i Abcom madje tejkaloi edhe atë të Tirana Bank, që kishte qenë banka më e shtrenjtë të shitur gjatë procesit të ristrukturimit të sistemit bankar. 98.8% e aksioneve të Tirana Bank u blenë nga konsorciumi Balfin Group-Komercijalna Banka për 57.3 milionë euro.

Vitin e kaluar, aksioneri i vetëm i Abcom vendosi njëkohësisht edhe shpërndarjen e dividendëve të akumuar, për një shumë prej rreth 16 milionë eurosh. Duke i shtuar edhe 60 milionë euro të çmimit të shitjes, amerikanët arkëtuan gjithsej rreth 76 milionë euro nga investimi në Abcom.

Marrëveshja për shitjen e 100% të aksioneve të Abcom nga American Broadband BV. te Vodafone Albania u zyrtarizua në tetor të vitit të kaluar.

Transaksioni ka marrë tashmë autorizimet e nevojshme ligjore nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Autoriteti i Mediave Audiovizuale (Abcom është pronar i disa televizioneve lokale kabllore në vend).

Megjithatë, autorizimi më i rëndësishëm, ai i Autoritetit të Konkurrencës, është dhënë me kushte dhe me detyrime.

Aktiviteti i dy kompanive do të jetë objekt i monitorimit të Autoritetit të Konkurrencës për një periudhë njëvjeçare. Dy kompanitë do të jenë gjithashtu të detyruara të njoftojnë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës për të gjitha ndryshimet që do të kryejnë në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg, gjatë periudhës së monitorimit.

Pas përthithjes së Abcom, Vodafone Albania do të jetë e detyruar të ndajë llogaritë ekonomike për shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare, çka do të bëjë të mundur evidentimin e burimit të gjenerimit të të ardhurave.

Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që të miratojë paraprakisht çdo paketë të re që përmban shërbime të kombinuara në tregun e telefonisë celularë, fikse dhe shërbimin e internetit. Ofruesit e paketave duhet të deklarojnë çmimin për njësi shërbimi që paketat do të përmbajnë.

Blerja e Abcom nga Vodafone Albania është një transaksion që nuk sjell përqendrime domethënëse horizontale, pasi kryesisht këto dy kompani operojnë në tregje të ndryshme.

Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, shqetësimet kryesore në rastin e transaksioneve të tilla lidhen me efektet konglomerate. Pas blerjes së Abcom, Vodafone mund të kombinojë produktet, duke shfrytëzuar pozicionin e fortë në njërin treg për të influencuar në tregun tjetër, kryesisht me anë të ofertave ose paketave që përfshijnë njëkohësisht shërbime të rrjeteve celulare dhe atyre fikse.

Kjo është edhe arsyeja kryesore pse blerësit i është vendosur detyrimi për ndarjen e llogarive dhe i është rekomanduar AKEP miratimi paraprak i paketave të përbashkëta.

Vodafone Albania është operatori më i madh i shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm në vend. Mbështetur në të dhënat e AKEP, në fund të vitit 2019 Vodafone zotëronte 48% të tregut, sipas numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare.

Abcom është operatori i dytë më i madh në shërbimin e internetit me linja fikse. Në fund të vitit 2019, Abcom deklaronte rreth 75 mijë abonentë ose rreth 17.5% të numrit total të abonentëve me akses broadband nga rrjetet fikse. Vlera totale e aseteve të shoqërisë në fund të vitit 2018 ishte rreth 4.2 miliardë lekë.

Përmes blerjes blerjes së Abcom, Vodafone Albania synon konvergjencën e plotë mes shërbimeve të lëvzishme dhe atyre fikse, në modelin e shumicës së operatorëve të rëndësishëm europianë të telekomunikacioneve.

Ky transaksion pritet të fuqizojë rolin e Vodafone në tregune  telekomunikacioneve dhe të sfidojë operatorin më të rëndësishëm në tregjet e shërbimeve me linja fikse, Albtelecom.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes