Vodafone Albania është tani edhe ligjërisht pronare e kompanisë së shërbimeve fikse, Abcom. Me kalimin zyrtar të pronësisë nga American Broadband tek Vodafone, këtë javë është kryer menjëherë edhe ndryshimi i drejtuesve ekzekutivë të Abcom.
Dy themeluesit dhe drejtuesit historikë të Abcom, Genti Daci dhe Altin Leksani kanë dhënë dorëheqjen, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e shtiblerjes.
Abcom do të drejtohet tashmë nga Ágar Pérez Valer. Pérez ka një karrierë gati 20 vjeçare në grupin Vodafone, kryesisht në Spanjë.
Që nga marsi i vitit të kaluar, ajo është emëruar në Shqipëri për të drejtuar Vodafone Business, njësinë e re të shërbimeve për biznesin në Vodafone Albania.
Besohet se qëllimi final i Vodafone është shkrirja e plotë e Abcom brenda saj, megjithatë ky proces do të kërkojë edhe pak kohë.
Hyrja e Vodafone në tregun e shërbimeve broadband me linja fikse pritet të jetë një zhvillim i rëndësishëm për konkurrencën brenda këtij tregu. Pasi po dominon prej më shumë se një dekade tregun e shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm, tashmë Vodafone ka targetuar edhe tregun fiks, për të sfiduar kryesimin e liderit historik të këtij tregu, Albtelecom.
Albtelecom në fund të vitit të kaluar zotëronte rreth 31% të tregut, sipas numrit të abonentëve, ndërsa Abcom renditej e dyta me 17.5% të totalit ose rreth 75 mijë pajtimtarë gjithsej.
Vodafone arriti marrëveshjen për blerjen e Abcom në tetor të vitit të kaluar, për një shumë totale të vlerësuar në rreth 60 milionë euro. Transaksioni u autorizua me kushte dhe detyrime nga Autoriteti i Konkurrencës në shkurt të këtij viti të këtij viti.
Mbështetur në vendimin e Komisionit të Konkurrencës, Vodafone nuk duhet të abuzojë me pozitën dominuese, nëpërmjet vendosjes së çmimeve të padrejta, si edje nuk duhet të vendosë palë të treta në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta.
Aktiviteti i dy kompanive do të jetë objekt i monitorimit të Autoritetit të Konkurrencës për një periudhë njëvjeçare. Vodafone dhe Abcom do të jenë gjithashtu të detyruara të njoftojnë paraprakisht Autoritetin e Konkurrencës për të gjitha ndryshimet që do të kryejnë në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg, gjatë periudhës së monitorimit.
Pas përthithjes eventuale të Abcom, Vodafone Albania do të jetë e detyruar të ndajë llogaritë ekonomike për shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare, çka do të bëjë të mundur evidentimin e burimit të gjenerimit të të ardhurave.