Pozita dominuese e Vodafone Albania në tregun e komunikimeve celulare në Shqipëri u thellua edhe më tej vitin e kaluar, ndërsa konkurrenca afatgjatë në këtë treg është më e kërcënuar se kurrë, që nga viti 2008, kur tregu ishte një duopol.
Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dëshmojnë një pjesë tregu konstante ose në rritje për shumicën e treguesve kryesorë.
Vitin e kaluar Vodafone zotëonte 54.5% të të ardhurave totale, 55% të të ardhurave nga shërbimet me pakicë, 52% të trafikut të thirrjeve dhe përdoruesve aktivë të internetit, 59% në volumin e trafikut të të dhënave dhe të mesazheve të shkruara dhe 47% të numrit të përdoruesve aktivë.
Gjithashtu, Vodafone ka një përfitueshmëri shumë më të lartë krahasuar me operatorët e tjerë. Mes të tjerash, kjo i mundëson më shumë investime, duke forcuar pozitën e saj të tregut në perspektivë.
Për vitin 2019, Vodafone realizoi më shumë investime se të dy operatorët e tjerë të marrë së bashku, ndërkohë që mbylli edhe blerjen e operatorit të dytë më të madh të linjave fikse, Abcom.
Pozita dominuese e Vodafone është një shqetësim serioz për Autoritetin e Konkurrencës, që as daljes nga tregu të operatorit të katërt, Plus. Ndonëse nuk arriti ta përmbushte misionin e saj ligjor në mbrojtje të Konkurrencës në këtë treg, Autoriteti prej vitesh ka lëshuar një paketë rekomandimesh, ku thelbi është kontrolli i pozitës dominuese të Vodafone, duke vendosur nën rregullim tregun me pakicë.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duket se nuk ka ndërmend ta ndjekë rekomandimin, me argumentin kryesor se kjo është një praktikë që nuk zbatohet askund në BE dhe se tregu i pakicës nuk përfshihet në listën e tregjeve të rekomanduara nga Komisioni Europian për rregullim ex-ante. Ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës dhe AKEP vazhdojnë të luajnë ping-pong, konkurrenca në tregun celular me pakicë është nën kërcënim serioz.
Më datë 25 maj, Vodafone ka njoftuar se do të hedhë në treg pesë paketa të reja 30 ditore me parapagesë. Paketat e reja parashikojnë rritje të çmimeve, përmes uljes së njësive të komunikimit brenda tyre. Veçanërisht, Vodafone do të nisë racionimin e internetit 4G, duke ulur ndjeshëm sasinë e tij brenda paketave dhe duke e kompensuar me internet me shpejtësi të kufizuar.
Me paketat e reja, një komunikim optimal do të mund të realizohet vetëm kundrejt një pagese mujore prej 1500 lekësh, ndërsa paketat më të vogla do të jenë shumë të kufizuara, sidomos tek internet.
Paketat e ekzituese do të vazhdojnë të jenë në fuqi, me sa duket për të shmangur sanksione nga Autoriteti i Konkurrencës. Megjithatë, lançimi i paketave të reja duket qartësisht një strategji për të tërhequr në në një moment të dytë ato ekzistuese dhe për të rritur çmimet për përdoruesit me parapagesë.
Mes fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit, të tre operatorët celularë aplikuan rritje të çmimeve të paketave mujore. Autoriteti i Konkurrencës urdhëroi pezullimin e tyre dhe nisi një hetim paraprak, me dyshime të forta për marrëveshje të ndaluar mes tre ndërmarrjeve.
Tashmë, Vodafone po kërkon rrugë të reja për të shtrenjtuar paketat e komunikimit. Për momentin, dy operatorët e tjerë nuk kanë njoftuar ndryshime në spektrin e paketave 30 ditore.