Vitin e kaluar, në Shqipëri u kryen rreth 831 mijë transferta ndërbankare në lekë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i transfertave mes bankave është në rritje të qëndrueshme vit pas viti, e lidhur kjo si me zgjerimin e aktivitetit ekonomik, aq edhe me formalizimin më të lartë dhe shtimin e veprimeve që kanalizohen në sistemin bankar të vendit.
Më datë 8 prill, Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime rregullatore që heqin të gjitha komisionet për transfertat bankare në lekë të kryera në distancë, përmes kanaleve të internet banking ose mobile banking.
Kjo masë ka si qëllim kryesor nxitjen e pagesave elektronike, përdorimi i të cilave është bërë veçanërisht i rëndësishëm pas vendosjes së kufizimeve të lëvizjes dhe nevojës për të shmangur përqendrimet e njerëzve në degët e bankave tregtare.
Vitin e kaluar, rreth 705 mijë veprime ose 85% e totalit ishin transferta me vlerë më të vogël se 1.5 milionë lekë. Zhvendosja drejt kanaleve dixhitale sidomos e këtij segmenti, që përbën edhe numrin më të madh të transfertave, është objektivi kryesor i rregullores së re.
Sot shumica dërrmuese e bankave ofrojnë kanale të pagesave në distancë pa kosto ose me kosto simbolike.
Statistikat zyrtare tregojnë se numri i llogarive bankare të lidhura me internetin në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 442 mijë, ndërsa numri i transaksioneve përmes internetit vitin e kaluar ishte më shumë se 2.6 milionë.
Masat kufizuese të lidhura me pandeminë e COVID 19 mund të jenë një shtysë për të familjarizuar më shumë shqiptarët me instrumentet e pagesave elektronike, çka do të sillte kursime të mëdha afatgjata në kohë dhe para.
Pagesat elektronike janë një mjet që tashmë duhet të përdoret masivisht sidomos për pagesat e faturave të shërbimeve utilitare, ku potencialet janë ende të mëdha. Ndërkohë, me aplikimin në të ardhmen të sistemeve që do të mundësojnë pagesa të çastit, aplikacionet e internet banking mund të përdoren për blerje direkte në pikat e shitjes së bizneseve, siç përdoren sot kartat.