Ekonomia shqiptare pësoi rënie për të dytin tremujor radhazi. Të dhënat e Instat tregojnë se për tremujorin e parë të vitit prodhimi i brendshëm bruto ra me 2.52%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 0.15% i tremujorit paraardhës. Shpërthimi i krizës së Covid -19 ka tkurrur prodhimin në pjesën dërrmuese të aktiviteteve ekonomike. Goditjen më të rëndë e ka pësuar ndërtimi, me një rënie prej 16.66%.
Në fakt, ky sektor besohet se është ndikuar paralelisht nga disa faktorë, duke përfshirë tërmetin e fundit të vitit 2019, por edhe nga përfundimi i shumë projekteve të mëdha të investimeve, sidomos në energjetikë. Diferencat e konsiderueshme në bazën krahasuese me viitn e kaluar mund të shpjegojnë rënien kaq të thellë të sektorit.
Dy sektorët e tjerë me peshë të lartë në rritje, tregtia dhe industria gjithashtu pësuan rënie, përkatësisht me 3.65% dhe 3.78%. Ndërtimi, industria dhe tregtia dhanë së bashku një kontribut negativ prej 2.3 pikë përqindjesh në rënien e prodhimit. Rënie pësuan edhe shumica e sektorëve të tjerë të ekonomisë, me përjashtim të bujqësisë, pasurive të paluajtshme dhe argëtimit.
Në veçanti bujqësia ishte i vetmi sektor që dha një kontribut domethënës pozitiv, duke u bërë mbështetja kryesore e rritjes ekonomike për herë të parë pas shumë vitesh. Ky sektor u rrit me 3.41% krahasuar me një vit më parë dhe kontribuoi pozitivisht me 0.71 pikë përqindje në rritjen ekonomike.
Pritshmëritë për vitin 2020 nuk ishin aspak të mira që në fillim. Tërmeti i nëntorit 2019 dhe mbarimi i veprave madhore të investimeve të huaja ishin faktorë që pritej ta ulnin ndjeshëm rritjen e prodhimit krahasuar me vitin e kaluar. Në fakt, këta faktorë janë materializuar dhe kjo duket qartë nga kontributi që kanë dhënë komponentët e kërkesës agregate.
Formimi i kapitalit fiks ra me gati 16.7%, duke dëshmuar qartë efektin e përfundimit të investimeve të mëdha në sektorin e energjisë. Goditjen tjetër e dha epidemia e Covid-19 dhe ky efekt ndoshta do të jetë i destinuar të thellohet në tremujorët pasardhës.
Shpresat që ekonomia të mund t’i shpëtojë rënies për janë të pakta dhe pritet që ky të jetë viti më negativ për ekonominë shqiptare që prej 1997. Mbështetur në projeksionet e institucioneve të specializuara, pritet që Prodhimi i Brendshëm Bruto të bjerë mes 6% dhe 10%.