Oferta e parasë në ekonomi ka shënuar përmirësim të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor, vlera e parasë së gjerë në ekonomi arriti në 1 trilion e 303 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 4.5%.
Zgjerimi i ofertës monetare është një zhvillim domethënës, duke përmbysur tendencën negative të regjistruar në vitin 2018. Rritja u përcaktua sidomos nga përmirësimi i ndjeshëm i kredisë bankare, duke përmbushur qëllimin e bankës qendrore për të hedhur më shumë para në treg, me qëllim nxitjen e kërkesës agregate.
Të dhënat e më të fundit të Bankës së Shqipërisë sinjalizojnë një rritje të kreditimit me rreth 7%, përjashtuar efektin e kursit të këmbimit dhe fshirjes së huave të humbura.
Njëkohësisht, rritja e ofertës së parasë u ndikua pozitivisht edhe nga stabilizimi i kursit të këmbimit. Treguesi i parasë së gjerë përfshin edhe depozitat bankare në valutë të huaj, duke i konvertuar ato në monedhën vendase. Në fund të nëntorit 2019, mbiçmimi vjetor i lekut ndaj euros zbriti në 1.4%, ndërkohë që një vit më parë ky mbiçmim kishte qenë 7%.
Ngadalësimi i mbiçmimit të lekut bëri që vlera ekuivalente e depozitave në valutë të mos pësonte gërryerje të mëdha për shkak të efektit të kursit.
Treguesi statistikor i parasë së gjerë përfshin sasinë e lekut në qarkullim jashtë bankave, plus depozitat dhe llogaritë bankare në lekë dhe ato në valutë. Ky tregues nuk përfshin llogaritë dhe depozitat e qeverisë, si edhe valutën jashtë sektorit bankar.