Tenisti Novak Djokovic, u paraqit me një përjashtim mjekësor nga vaksinimi për të marrë pjesë në Australian Open. Djokoviç, i cili ka fituar nëntë herë këtë turne (një fitore më shumë do t’i jepte atij një rekord prej 21 tituj të Grand Slam), refuzoi të tregojë prova të vaksinimit, çka kërkohet për të hyrë në Australi. “Nuk do ta zbuloj statusin tim nëse jam vaksinuar apo jo”, tha ai për Blic, një e përditshme serbe, duke e quajtur atë “një çështje private dhe një hetim të papërshtatshëm”.
Familja e Dale Weeks, e cila vdiq muajin e kaluar në moshën 78-vjeçare, nuk do të ishte dakord. Weeks ishte një pacient në një spital të vogël në Iowa-n rurale. Spitali kërkoi ta transferonte në një spital më të madh ku mund të operohej, por një rritje e pacientëve me COVID-19, pothuajse të gjithë të pavaksinuar, bëri që të mos kishte shtretër rezervë. U deshën 15 ditë që Weeks të gjente një vend të lirë, por deri atëherë ishte tepër vonë.
Weeks u bë një tjetër nga viktimat e shumta indirekte të COVID-19 – njerëz që nuk e patën kurrë virusin, por vdiqën sepse të tjerët që po merrnin burimet e kufizura të kujdesit shëndetësor, veçanërisht shtretërit në njësitë e kujdesit intensiv.
“Gjëja që më shqetëson më shumë është vendimi egoist i njerëzve për të mos vaksinuar dhe dështimi për të parë se si kjo ndikon në një grup më të madh njerëzish. Kjo është pjesa që është vërtet e vështirë për t’u gëlltitur,” tha vajza e tij
Muajin e kaluar, Rob Davidson, një mjek i urgjencës në një spital në Miçigan, shkroi një ese për New York Times që ofronte një pamje të gjallë të jetës në një spital që kishte qenë vazhdimisht në ose afër kapacitetit për disa javë. Shumica dërrmuese e pacientëve kishin COVID-19 dhe 98% e atyre që kishin nevojë për kujdes kritik akut ishin të pavaksinuar.
Ajo që ndodhi me Weeks po ndodhte gjithashtu në spitalin e Davidson: ata që kishin nevojë për trajtim më të specializuar nuk mund të transferoheshin në një institucion më të madh, sepse pothuajse çdo spital në rajon ishte tashmë plot ose pothuajse plot. Davidson nuk është në gjendje ta shohë zgjedhjen për të mos u vaksinuar si një çështje private.
“I detyron pacientët me apendisit të çarë dhe kocka të thyera të presin me orë të tëra në departamentin tim të urgjencës; shtyn operacionet për shumë njerëz të tjerë dhe stërmundon mjekët dhe infermierët,” tha ai.
Ka pasur një kundërshtim të konsiderueshëm ndaj detyrimit të vaksinave – kundërshtimi që unë kam argumentuar se është i gabuar. Me variantet e mëparshme, të pavaksinuarit kanë më shumë gjasa të infektojnë të tjerët. Me variantin më ngjitës Omicron, shkalla në të cilën vaksinat aktuale reduktojnë infeksionin dhe aftësinë për të përhapur virusin është më pak e qartë. Por, ne e dimë se vaksinimi redukton ashpërsinë e sëmundjes, dhe për rrjedhojë nevojën për shtrimin në spital.
Për situatën që përshkroi Davidson dhe që fëmijët e Ëeeks besojnë se çoi në vdekjen e babait të tyre, ekziston një zgjidhje tjetër, e cila respekton vendimet e atyre që zgjedhin të mos vaksinohen, por kërkon që ata të mbajnë pasojat e zgjedhjes së tyre. Spitalet që janë në kapacitet ose afër tyre duhet të paralajmërojnë popullatat që u shërbejnë se, pas një date të caktuar – mjaft larg në të ardhmen për t’u lënë kohë të mjaftueshme njerëzve që të vaksinohen plotësisht – ata do t’u japin përparësi pacientëve të vaksinuar ndaj pacientëve të pavaksinuar me COVID-19.
Pas datës së shpallur, kur një pacient i vaksinuar dhe i pavaksinuar me COVID-19 kanë nevojë për shtratin e fundit të disponueshëm në njësinë e kujdesit intensiv, pacienti i vaksinuar duhet ta marrë atë. Nëse shtrati i fundit i kujdesit intensiv i jepet një pacienti të pavaksinuar, sepse në atë kohë nuk kishte njeri tjetër që kishte nevojë për të, dhe një pacient i vaksinuar me nevojë më të madhe ose të barabartë për objektin më pas arrin, shtrati duhet t’i jepet pacientit të vaksinuar.
Pacienti i pavaksinuar, ose familja e atij pacienti, mund të kundërshtojë. Po,r nëse lëvizja është në përputhje me një politikë të shpallur më parë dhe të gjithë kishin mundësinë të vaksinoheshin përpara se politika të hynte në fuqi, njerëzit që bëjnë zgjedhje që ka të ngjarë të dëmtojnë të tjerët dhe janë paralajmëruar për pasojat e këtyre zgjedhjeve, duhet të marrin përgjegjësi për ta.
Spitalet me kapacitet të mjaftueshëm, natyrisht, duhet të vazhdojnë të trajtojnë sa më mirë pacientët e pavaksinuar me COVID-19. Pavarësisht nga sforcimet shtesë që kjo i bën stafit të spitalit, të gjithë duhet të kenë dhembshuri të mjaftueshme për t’u përpjekur të shpëtojnë jetë, edhe kur ata, jeta e të cilëve duhet të shpëtojë, kanë bërë zgjedhje të papërgjegjshme dhe egoiste.
Duhet të bëhen përjashtime për ata pak pacientë për të cilët vaksinimi është kundërindikuar për arsye mjekësore, por jo për ata që pretendojnë se kanë arsye fetare për përjashtim. Asnjë fe e madhe nuk e refuzon vaksinimin, dhe nëse disa njerëz zgjedhin t’i interpretojnë besimet e tyre fetare si t’u kërkojnë atyre të shmangin vaksinimin, atëherë ata dhe jo të tjerët duhet të mbajnë pasojat.
Një politikë e tillë ka të ngjarë të rrisë normat e vaksinimit, gjë që do të përfitojë si të pavaksinuarit ashtu edhe të vaksinuarit dhe të shpëtojë jetë, ashtu si detyrimet për t’u vaksinuar kanë shpëtuar jetë duke rritur numrin e personave të vaksinuar. Por, edhe nëse politika nuk bind më shumë njerëz të vaksinohen, të paktën më pak njerëz do të vdisnin nga kushtet shëndetësore mbi të cilat nuk kanë kontroll, sepse të tjerët që e konsiderojnë vaksinimin si një “zgjedhje personale” dhe e refuzuan atë me egoizëm, po përdorin burime të pakta, të nevojshme për të shpëtuar jetë.
Peter Singer
Profesor i Bioetikës në Universitetin e Princeton