18 Mars

0 komente

Vazhdon demagogjia e shëmtuar me shtyrjen e kredive: del “urdhëri” që nuk ndryshon asgjë.

Autor Ersuin Shehu

18 Mars, 2020


Pasditen e të martës, Kryeministri, Edi Rama dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dolën me një urdhër të përbashkët për shtyrjen e afatit të këstëve të kredive të bizneseve dhe individëve deri në 31 maj 2020.

Në urdhër thuhet se kredimarrësit duhet të kontraktojnë me institucionet e huadhënies dhe t’iu argumentojnë atyre arsyet mbi nevojat për shtyrjen e pagesës së kësteve. Urdhëri vendos gjithashtu një afat 3-ditor, brenda të cilës banka duhet të procesojë kërkesën e huamarrësit.

Urdhëri, në fakt, ngre shumë pikëpyetje për sa i takon bazës ligjore mbi të cilën mbështetet. Në hyrje të dokumentit, si bazë ligjore citohen Kushtetuta dhe ligjet organike të funksionimit të Këshillit të Ministrave dhe Bankës së Shqipërisë.

Por, në asnjë prej ligjeve të cituara, as Guvernatori dhe akoma më pak kryeministri nuk kanë ndonjë kompetencë eksplicite ligjore për të ndërhyrë në kontratat e huadhënies mes subjekteve private, përfshi këtu ngrirjen apo shtyrjen e pagesave.

Sidoqoftë, përtej përcaktimit pompoz si “urdhër”, dokumenti i djeshëm nuk sjell ndonjë ndryshim thelbësor nga procedura e njoftuar më parë nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave, ku secili huamarrës duhet t’i drejtohet bankës dhe kërkesa do të jetë subjekt miratimi prej saj.

Në një situatë të tillë, është e qartë që bankat do të jenë mëse të prirura të pranojnë ristrukturimin e kredive, për t’iu dhënë frymëmarrje huamarrësve dhe për të mos prodhuar kredi të reja të këqija.

I vetmi vendim që ndihmoi realisht në këtë proces ishte ai i javës së kaluar, ku Banka e Shqipërisë iu heq institucioneve financiare detyrimin për të riklasifikuar dhe provigjionuar kreditë që ristrukturohen deri në 31 maj.

Deklaratat për moratorium të kredive apo urdhëri i djeshëm i shërbejnë më shumë propagandës, sesa zgjidhjes reale të problemeve që mund të kenë sipërmarrësit.

Huamarrësit duhet të kenë parasysh se shtyrja e kredive nuk është asnjeherë pa kosto. Pavarësisht se ata nuk do të kenë penalitete, në rifillimin e supozuar të pagesave në muajin qershor, kredimarrësit do të paguajnë interesat e akumuluara që nga data e pezullimit deri në rifillimin e pagesave.

Në varësi të marrëveshjes me bankën, këto interesat edhe mund të shpërndahen në disa muaj, por e rëndësishme është të kuptohet se jo vetëm principali i kredisë nuk falet, por as interesat për periudhën e shtyrjes së pagesave nuk falen.

Kjo do të thotë se shtyrja e kredive mund të jetë e arsyeshme vetëm për ata kredimarrës që kanë realisht vështirësi, ndërsa për huamarrësit që kanë aftësi paguese shtyrja nuk është shumë e këshillueshme.

Shtyrja e kredive e ka zanafillën në një përpjekje për të fituar pikë politikisht duke shtrembëruar modelin që po ndjek Italia.

Në fakt, atje moratoriumi i parë kredive ishte një marrëveshje mes Federatës së Bankave dhe Shoqatave të Biznesit dhe prekte vetëm huatë e sipërmarrjeve. Ndërkohë, shtyrja e gjerë e kredive që mbështetet në dekretin e qeverisë italiane të datës 16 mars, mundëson që qeveria të paguajë 50% të interesave të kredive për periudhën e shtyrjes: 50% të interesave do t’i paguajë vetë huamarrësi pas periudhës së shtyrjes. Për të përfituar, çdo huamarrës duhet të aplikojë në bankë dhe të paraqisë dokumentacion që provon se pamundësia për të paguar lidhet me situatën e krijuar nga koronavirusi.

Pra, në Itali qeveria ka marrë përsipër t’u paguajë të prekurve nga koronavirusi një pjesë të interesave, ndërsa në Shqipëri qeveria jo vetëm nuk merr përsipër asgjë, por nxjerr urdhëra ligjërisht “nulë”, duke bërë pjesë të talljes me publikun edhe Bankën e Shqipërisë, si edhe duke nëpëkëmbur pavarësinë e saj.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes