Union Bank do të ndryshojë drejtorin e përgjithshëm për herë të parë që nga krijimi i saj. Njeriu që e ngriti dhe e drejtoi bankën për 15 vjet, Gazmend Kadriu, do të largohet për t’ia lënë vendin Flutura Veipit.
Flutura Veipi iu bashkua Union Bank si anëtare joekzekutive e Bordit Drejtues në vitin 2016. Vitin e kaluar, ajo drejtoi për një periudhë të shkurtër Bankën Ndërkombëtare Tregtare gjatë procesit të bashkimit të saj me Union Bank.
Para përfshirjes në Union Bank, Flutura Veipi ka pasur një përvojë 14 vjeçare në ProCredit Bank. Karriera e saj në ProCredit kulmoi në periudhën 2010-2014, kur qëndroi në majën e piramidës drejtuese, si drejtore e drejtorisë ekzekutive të bankës.
Gazmend Kadriu do ta lërë bankën në pozita mjaft të mira, në vijim të një procesi disavjeçar rritjeje dhe performance financiare pozitive.
Union Bank është banka e dytë më e madhe me kapital shqiptar. Në fund të tremujorit të tretë 2019, ajo zotëronte 4.3% të tregut bankar, për një total aktivesh prej rreth 63 miliardë lekësh.
Për 9-mujorin 2019, banka raportoi një fitim neto prej 540 milionë lekësh dhe një kthim nga kapitali në nivelin 16.13%.
Union Bank ka regjistruar rritje të qëndrueshme në treg që nga krijimi i saj, në vitin 2005. Kriza e nisur në vitin 2008 nuk e pengoi procesin e rritjes dhe konsolidimit të bankës. Madje, Union Bank ka qenë ndër bankat që shfrytëzuan mirë hapësirat e krijuara në treg gjatë viteve të krizës, nga frenimi i huadhënies prej bankave me kapital nga vendet e Eurozonës.
Vitin e kaluar, rritja e Union Bank u mbështet më tej nga blerja e Bankës Ndërkombëtare Tregtare.