19 Qershor

0 komente

Ulja e shitjeve paralajmëron rënie të ekonomisë për të dytin tremujor radhazi

Autor Ersuin Shehu

19 Qershor, 2020

kryesore

Shitjet e bizneseve në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë pësuan rënie në tremujorin e parë, çka përbën një sinjal se shifrat e rritjes ekonomike priten të jenë të zymta që nga fillimi i vitit. Sipas Instat, indeksi i shitjeve të biznesit pësoi rënie të thellë vjetore në industri, ndërtim dhe në shërbimet e lidhura me turizmin.

Shitjet e industrisë ranë me 9.2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Rënia përfshiu pa përjashtim të gjitha degët e industrisë, që nga industria nxjerrëse me gati 19%, sektori i ujit me 16%, si edhe industria përpunuese dhe energjia elektrike me afërsisht 6%.  

Edhe sektori i ndërtimit pësoi rënie të fortë, duke vuajtur pjesërisht pasojat e tërmetit të nëntorit 2019. Sipas Instat, shitjet e ndërtimit pësuan rënie me 12% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Një ecuri në përkeqësim vërehet edhe në sektorin e shërbimeve. Rritje të shitjeve regjistruan tregtia me 4.3%, transporti me 6.2% dhe komunikacionet me 2.1%, ndërsa aktivitetet e tjera rezultuan me rënie.

Indeksi i shitjeve është një tregues orientues për ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto. Ecuria e dobët e shitjeve ka shumë të ngjarë të reflektohet me një rënie të prodhimit të brendshëm bruto për të dytin tremujor radhazi. Sipas Instat, ekonomia u zhyt në rënie që në tremujorin e fundit 2019, ku prodhimi u tkurr me 0.15%.

Të dhënat e PBB-së për tremujorin e parë të vitit do të publikohen nga Instat në fund të këtij muaji, por rënia e shitjeve në shumicën e degëve të ekonomisë është një ogur i keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes