Tregu i fondeve të investimit pësoi rënie në tremujorin e tretë të vitit. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në fund të muajit shtator, totali i aktiveve neto të këtyre fondeve zbriti në 66.7 miliardë lekë, në rënie me 2.5 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Që nga fillimi i vitit, tregu ka regjistruar një rritje shumë të lehtë, me 0.9%, rritje që erdhi e gjitha në tremujorin e parë.
Në tremujorin e tretë, tregu ka pësuar rënie edhe në numër anëtarësh, që zbriti në rreth 29,200 nga 30,500 që kishte qenë në mesin e vitit. Rënia e tregut, si në volum, ashtu edhe në numër investitorësh, duket se është e lidhur me uljen e ndjeshme të kthimit nga investimi gjatë këtij viti.
Në fund të muajit tetor, kthimi vjetor nga investimi për Credins Premium zbriti në 5.96%. Për dy fondet në lekë të Raiffeisen Invest të dhënat më të fundit i takojnë muajit shtator. Kthimi vjetor në fondin Vizion ishte 4.7%, në fondin Prestigj 2.51%, ndërsa për Raiffeisen Invest në euro 3.35%.
Për fondet në lekë, kthimet kanë pësuar rënie drastike që nga fillimi i vitit, rënie e përcaktuar kryesisht nga konjuktura e tregut të obligacioneve të qeverisë shqiptare. Struktura e investimeve të fondeve në lekë dominohet nga obligacionet dhe bonot e thesarit, që zënë pothuajse 90% të vlerës totale të aseteve. Deri tani, tregu ende nuk ofron alternativa të tjera investimi financiar në monedhën vendase.
Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuara pesë fonde investimi, që menaxhohen nga tre shoqëri administruese. Pjesa dërrmuese e tregut ende mbahet nga tre fondet e menaxhuara nga shoqëria Raiffeisen Invest, që zotërojnë rreth 94% të aktiveve totale të tregut.
Megjithatë, në rritje është edhe fondi i investimeve në lekë, Credins Premium, që në fund të shtatorit zotëronte 5.5% të aseteve të tregut, niveli më i lartë i regjistruar që nga themelimi, në vitin 2016. Fondi më i ri i licencuar, Top Invest, ka ende pjesë të papërfillshme tregu, por ky fond ka një profil rreziku më të lartë, sepse angazhohet në investime në aksione në bursat e huaja.