12 Prill

0 komente

“Ulen armët” në Digitalb: Vjollca Hoxha pranon të lërë timonin. Kompania me dy drejtorë, nga një për secilin klan.

Autor Ersuin Shehu

12 Prill, 2020


Që nga dhjetori i vitit të kaluar, platforma më e madhe televizive me pagesë, Digitalb, është përfshirë në betejë mes familjes së Vjollca Hoxhës dhe aksionerëve të tjerë të kompanisë.

“Sherri” e ka zanafillën një dekadë më parë, kur Digitalb bleu 100% të aksioneve të Supersport për 10 milionë euro.

Aksionerët e Supersport që nuk kishin aksione në Digitalb, më konkretisht Samir Mane, Agim Zeqo, Suela Duka (Armand dhe Agron Duka) dhe Alba Gina (Aleksandër Frangaj) si pjesë të asaj marrëveshjeje, përfituan edhe të drejtën e blerjes me kusht 16% të aksioneve të Digitalb, kundrejt vlerës së tyre nominale.

Më tej, ata i shitën edhe këto kuota te aksionerët e tjerë të Digitalb, kundrejt një pagese të mëtejshme (besohet rreth 10 milionë euro të tjera), që gjithashtu do të shlyhej me këste përgjatë viteve në vazhdim.

Por, në dhjetor të vitit të kaluar Vjollca Hoxha vendosi të anullojë marrëveshjen me ish-aksionerët e Supersport dhe të ndërpriste kryerjen e pagesave drejt tyre. Si përgjigje, ata rimorën aksionet e tyre në Digitalb dhe arritën t’i regjistronin në QKB.

Kështu, AIBA Kompani (Armand dhe Agron Duka), Agim Zeqo, Alba Gina (Aleksandër Frangaj) dhe Samir Mane u bënë sërish aksionerë në Digitalb.

Prej atëherë aksionerët e rinj, në aleancë edhe me aksionerët e tjerë të mëdhenj Edmond e Niko Leka, Petraq Shomo dhe Arben Taipi, nisën përpjekjen për të thyer “diktaturën” që po vendoste Vjollca Hoxha në kompani.

Në fakt, pas kthimit të aksioneve te aksionerët e Supersport, familja Hoxha ngelet aksionerja kryesore në Digitalb, me rreth 43% të aksioneve, por nuk zotëron më paketën kontrolluese, që do t’i lejonte të merrte vendime e vetme.

Më në fund, në fund të muajit shkurt, aksionerët arritën një marrëveshje, ku Vjollca Hoxha pranoi të largohej nga detyra e administratorit të kompanisë në muajin prill. Që nga kjo javë, Digitalb do të drejtohet nga dy administratorë me të drejta të barabarta, njëri i vendosur nga Vjollca Hoxha dhe tjetri nga aksionerët e tjerë.

Administratori i familjes Hoxha do të jetë Redi Lamaj, që në fakt e mbante këtë detyrë edhe më parë dhe ishte de facto menaxheri operacional i kompanisë.

Administratorja tjetër do të jetë Eglantina Lamaj, person i njohur si njeri i afërt i Aleksandër Frangajt dhe ish-administratore e televizionit ABC News, para se Frangaj ta shiste median në fjalë tek Klodian Allajbeu.

Palët kanë rënë dakord që Digitalb të menaxhohet nga këta dy administratorë, deri në muajin gusht, kur do të vendoset një administrator i ri.

Kundrejt heqjes dorë nga drejtimi i kompanisë, Vjollca Hoxha ka përfituar të drejtën ekskluzive për të propozuar administratorin e ardhshëm. Por, sipas ndryshime të dakordësuara në statut, administrator nuk mund të jetë asnjë nga aksionerët, çka do të thotë se Vjollca Hoxha nuk do të mund ta drejtojë më personalisht Digitalb.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes