24 Dhjetor

0 komente

Turizmi “reanimon” rritjen ekonomike.

Autor Ersuin Shehu

24 Dhjetor, 2019


Sezoni turistik i ka dhënë shtysën e pritur rritjes ekonomike për tremujorin e tretë. Instat raportoi të martën se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.81% me bazë vjetore, duke përmirësuar ndjeshëm rritjen e plogësht prej rreth 2.3% që ishte regjistruar në dy tremujorët e mëparshëm.

Të dhënat sektoriale dëshmojnë se, veç tregtisë dhe shërbimeve të lidhura me turizmin, një ndikim në rritje dha edhe industria nxjerrëse. Tregtia dhe shërbimet e akomodimit dhe ushqimit u rritën me afro 6.7%, ndërsa kontribuan me 1.25 pikë përqindje në strukturën e rritjes ekonomike. Aktiviteti industrial u rrit me 5.85%, i shtyrë sidomos nga rritja me 16.56% e industrisë nxjerrëse. Zbutja e diferencave vjetore të prodhimit të energjisë e reduktoi efektin negative të këtij sektori në rritjen ekonomike.

Në rast se goditja e energjisë po shkon drejt amortizimit, ndikim negativ në rritje për tremujorin e tretë dhanë sërish sektori i lojërave të fatit dhe ndërtimit. Mbyllja e lojërave të fatit pritet t’i shtrijë efektet në rritjen ekonomike gjatë gjithë vitit, dhe dega që përfshin këto aktivitete pësoi rënie të prodhimit me 24% në tremujorin e tretë.  

Reduktimi i ndjeshëm i aktivitetit në gazsjellësin TAP, që është drejt përfundimit të plotë për pjesën që i takon Shqipërisë, ndikoi në rënien për të dytin tremujor radhazi edhe në sektorin e ndërtimit. Prodhimi i ndërtimit ra me 1.14% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e mbështetur kryesisht nga turizmi gjen përputhje edhe ecurinë e komponentëve të kërkesës agregate. Për tremujorin e tretë, konsumi privat u rrit me pothuajse 3.9%, duke shfaqur kontributin më të lartë në rritjen ekonomike qysh prej tremujorit të dytë të vitit 2016. Ndërkohë, përfundimi i projekteve madhore të investimit në energji ka bërë që formimi bruto i kapitalit fiks në ekonominë shqiptare të bjerë për të dytin tremujor radhazi, këtë herë me 1.9%.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes