E ndodhur nën trysninë e debatit politik lidhur me numrin e vdekjeve të regjistruara nga epidemia e Covid-19, Instituti i Statistikave ka vendosur të publikojë, me më shumë se një javë vonesë, treguesit demografikë për tremujorin e parë të vitit. Mbështetur në të dhënat e Instat, numri i vdekjeve në tremujorin e parë të këtij viti pësoi rënie me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas shifrave zyrtare, 6115 njerëz humbën jetën në Shhqipëri për tre muajt e parë të vitit. Megjithatë, Instat ka theksuar qysh në hyrje të publikimit se, për shkak të situatës së krijuar nga epidemia, raportimet e lindjeve dhe vdekjeve në zyrtar e gjendjes civile mund të mos jenë të plota. Për këtë arsye, të dhënat do të jenë objekt rishikimi gjatë tremujorit të dytë.
Sidoqoftë, duke u mbështetur në statistikat e raportit të publikuar të mërkurën, rritja natyrore e popullsisë së Shqipërisë ka zbritur sërish shumë afër zeros. Për tremujorin e parë, numri i lindjeve e ka kaluar me vetëm 11 atë të vdekjeve. Shtatë qarqe te vëndit kanë regjistruar vlera negative të shtesës natyrore të popullsisë.
Kjo tendencë ngelet më e theksuar në qarqet e jugut të vendit. Tkurrja më e fortë natyrore e popullsisë u regjistrua në qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve e kaloi atë të lindjeve me afro 250.
Në themel të kësaj tendence ngelet lindshmëria e ulët. Për tremujorin e parë të këtij viti numri i lindjeve ra me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Me përjashtim të Lezhës, Shkodrës dhe Elbasanit, qarqet e tjerë të vendit raportuan një ulje të numrit të lindjeve krahasuar me vitin e kaluar.
Që nga fillimi i vitit, bonuset për lindjet u rritën, por deri tani kjo masë duket shumë pak për të nxitur lindshmërinë në vend. Tkurrja e popullsisë pritet të jetë, mes të tjerash, një edhe problem madhor ekonomik në afatin e gjatë. Ulja e numrit të banorëve nënkupton një treg më të vogël dhe një forcë pune më të pakët, ndërsa plakja do të sjellë rëndim të barrës së përkujdesjes sociale.
Shqipëria do të ketë gjithnjë e më shumë pensionistë dhe gjithnjë e më pak forcë pune aktive që të paguajë kontribute dhe taksa. Ky skenar është ndër rreziqet më të mëdhenj për perspektivat afatgjata të ekonomisë shqiptare.