Tregu i shërbimeve postare në Shqipëri ka një qarkullim vjetor prej pak më shumë se 2.1 miliardë lekësh ose rreth 17 milionë eurosh. Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se për vitin financiar 2018 tregu pësoi rënie me 8%.
Posta Shqiptare ngelet bindshëm dominuese, me 66% të tregut sipas totalit të të ardhurave. Për vitin 2018 Posta Shqiptare regjistroi një rritje të të ardhurave me 4%, ndërsa për ofruesit e tjerë të shërbimeve, të marrë së bashku, të ardhurat vjetore pësuan një rënie me rreth 25%.
Mbështetur në të dhënat e AKEP, operatori i dytë më i madh për nga xhiroja është DHL Albania, me 9% të tregut, i ndjekur nga Fedex me 6%.
Për vitin 2018, investimet totale në sektorin postar në Shqipëri ishin 193 milionë lekë, në rënie me 23% krahasuar me vitin 2017. 76% e investimeve totale janë kryer nga Posta Shqiptare.
Mbështetur në të dhënat e regjistrit të sipërmarrësve nga AKEP, në fillim të këtij viti në Shqipëri rezultonin 16 shoqëri ofruese të shërbimeve postare.
Në fund të vitit 2019, ky treg punësonte pothuajse 3 mijë punonjës, nga të cilët 83% e totalit i takojnë Postës Shqiptare.