Tregu i komunikimeve elektronike pësoi një rënie me 5.2% për vitin 2020. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) treguan se ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike raportuan në total 33.45 miliardë lekë ose 271 milionë euro të ardhura nga komunikimet elektronike.
Në tregun e ofrimit të shërbimeve celulare gjatë vitit 2020 operatorët kanë raportuar rreth 23.9 miliardë lekë të ardhura, e cila përbën një tkurrje me rreth 9% krahasuar me vitin 2019. Kjo rënie në të ardhurat e operatorëve celularë është shkaktuar nga ulja e të ardhurave të gjeneruara në të dy tregjet, atë të pakicës dhe tregun e shërbimet me shumicë.
Sipas AKEP, ndër faktorët kryesorë të cilët kanë ndikuar në rënien e të ardhurave janë ulja e volumit të thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare si rezultat i përdorimit masiv të aplikacioneve OTT (whatsapp, viber, etj.) të cilat kanë pasur një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe përmirësimit të cilësisë së internetit, por edhe rënia e të ardhurave të gjeneruara nga shitja e paketave ofertë (bundles) me pakicë.
Një ndër faktorët që ka ndikuar negativisht tregun ishte edhe situata pandemike e shkaktuar nga COVID-19, që solli uljen e numrit të turistëve dhe emigrantëve për shkak të vështirësive të transportit ndërkombëtar, dhe mbylljes se kufijve, reduktimin e numrit të paketave standarde të riaktivizuara apo mosaktivizimin e paketave në mënyrë periodike për numrat me parapagesë
I matur sipas të ardhurave nga komunikimet elektronike, edhe për vitin 2020 tregu celular u dominua nga Vodafone, me 53% të totalit, i ndjekur nga One me 34% të tyre.
Të tre operatorët celularë pësuan rënie të të ardhurave vjetore, por kjo rënie ishte më e theksuar për Albtelecom Mobile, me 16% më pak krahasuar me vitin 2019. Tashmë, Albtelecom ka vetëm 13% të tregut celular, të matur sipas xhiros.
Ndryshe nga shërbimet celulare, segmenti i komunikimeve elektronike nga ofruesit e shërbimeve nga rrjetet fikse shënoi sërish rritje për vitin 2020. Sipas AKEP, volumi I tregut ishte rreth 9.55 miliardë lekë ose rreth 77 milionë euro. Kjo përbën një rritje me rreth 6% krahasuar me vitin 2019.
Më shumë se 82% e të ardhurave të këtij tregu gjenerohen nga 7 operatorët kryesorë, që janë Albtelecom, Abcom (Vodafone), ASC, ATU, Abissnet, Nisatel dhe Digicom. Operatorët e tjerë, edhe pse në numër të konsiderueshëm, përbëjnë rreth 18% të këtij tregu.