25 Dhjetor

0 komente

Tregu i internetit arrin në 409 mijë abonentë

Autor Ersuin Shehu

25 Dhjetor, 2019


Tregu i internetit me linja fikse në Shqipëri numëron tashmë 409 mijë abonentë. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) raporton rritje me ritme të shpejta të këtij tregu edhe për vitin 2019. Të dhënat e tremujorit të tretë dëshmojnë një shtim të numrit të abonentëve me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një një vit, tregu është zgjeruar me rreth 76 mijë abonentë.

Pjesa më e madhe e abonentëve të internetit e shfrytëzojnë lidhjen me brez të gjerë për të marrë më shumë se një shërbim komunikimi, duke përfshirë edhe telefoninë fikse ose televizionin. Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 258 mijë, në rritje vjetore me afro 20%.

Konkurrenca e fortë në këtë segment ka bërë që pjesa e tregut të operatorit më të madh, Albtelecom, të bjerë gradualisht dhe tashmë është poshtë nivelit 33%.

Shërbimi i internetit me linja fikse ka ende potenciale të mëdha rritjeje, po të kemi parasysh se Shqipëria ka ende një depërtim të ulët të këtyre shërbimeve krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara.

Në raportin vjetor të vitit 2018, AKEP konstaton se, megjithëse numri i pajtimtarëve me akses nga linjat fikse është në rritje të qëndrueshme, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se ne vendet e BE-së dhe të Rajonit. Në vitin 2018, norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjetet fikse ishte 50% për familje dhe 12.6% për numër banorësh.

Potencialet e tregut po tërheqin edhe investime të tjera të rëndësishme. Në fund të muajit tetor, operatori më i madh i shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm, Vodafone Albania, njoftoi blerjen e Abcom. Më herë këtë vit, u zyrtarizua edhe blerja e operatorit tjetër Digicom nga ATU, kompania që zotëron rrjetin kombëtar të fibrës optike.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes