29 Qershor

0 komente

Tregu i fluturimeve, vetëm 7 mijë udhëtarë në maj

Autor Ersuin Shehu

29 Qershor, 2020


Tregu i fluturimeve ka qëndruar praktikisht i bllokuar edhe për muajin maj. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i pasagjerëve në transportin ajror ishte më pak se 7 mijë, në rënie me 97% krahasuar me majin e vitit të kaluar.

Megjithëse numri i pasagjerëve u rrit me rreth tre mijë më shumë krahasuar me prillin, sërish tregu ngeli shumë larg funksionimit normal. Edhe për majin, fluturimet ishin kryesisht në funksion të riatdhesimit të shtetasve.

Mbyllja e kufijve dhe bllokimi i fluturimeve për shkak të Covid 19 ka bërë që pesëmujori i parë i vitit të mbyllej me një bilanc negativ dhe numri i udhëtarëve në transportin ajror ra me 52% krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Për disa prej destinacioneve kryesore, fluturimet kanë rifilluar vetëm në mesin e muajit qershor, por me kufizime drastike për lëvizjen e shtetasve. Për momentin, drejt Bashkimit Europian mund të udhëtojnë nënshtetasit e këtyre vendeve ose shqiptarët me leje qendrimi.

Për shtetasit rezidentë në Shqipëri, dyert e Unionit janë ende të mbyllura dhe nuk pritet të hapen as pas 1 korrikut.

Shpërthimi i rasteve të reja të epidemisë së Covid-19 gjatë qershorit e ka bërë më të largët mundësinë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve, jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe në shumicën e vendeve të tjera.

Dështimi për të izoluar epideminë pritet të ndikojë rrjedhimisht edhe tregun e transportit ajror të pasagjerëve, sepse shqiptarët nuk mund të dalin jashtë vendit, por edhe sepse të huajt tashmë do të jenë më të frikësuar për të udhëtuar në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes