Tregu financiar po i përgjigjet mirë kërkesës së qeverisë për financim edhe në ankandet e para të muajit maj. Këtë javë qeveria realizoi me sukses ankandin e emetimit të bonove 12 mujore, për një shumë prej 10.7 miliardë lekësh, ndërkohë që kërkesat në ankand arritën shumën e 13.5 miliardë lekëve.
Yield-i mesatar ponderuar u rrit lehtë në 2.25%, nga 2.16% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Në fund të muajit mars, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në minimumin e ri historik prej 0.5%, ndërsa mori përsipër furnizimin e pakufizuar të likuiditetit për të mbuluar nevojat afatshkurtra të bankave.
Pavarësisht nga kjo, normat e interesit në tregun e borxhit të qeverisë janë rritur, çka lidhet me shtimin e ndjeshëm të kërkesë së qeverisë shqiptare për financim, por edhe me rritjen e petceptimit të rrezikut, pas shpërthimit të krizës së Covid-19.
Rritja e interesave duket e kontrolluar dhe e justifikueshme nga rrethanat, megjithatë Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme se shtrëngimi i ofertës për financim dhe rritja e çmimit të parasë është një rrezik real, siç deklaroi dje Guvernatori Sejko.
Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës parajmëroi se lehtësimi monetar mund të vazhdojë më tej, duke përfshirë edhe skenarin e përdorimit të herë të parë të instrumenteve jokonvencionale. Kjo nënkupton një program të blerjes së titujve qeveritarë në tregun dytësor, sipas modelit të ndjekur vitet e fundit nga Banka Qendrore Europiane.