12 Maj

0 komente

Tregu celular: Vodafone dyfishon fitimet, Telekom “OK” në vitin e parë të erës bullgare. Albtelecom përsëri me humbje.

Autor Ersuin Shehu

12 Maj, 2020

kryesore

Tregu celular pësoi rënie për të katërtin vit radhazi në 2019. Sipas të dhënave të raportuara nga operatorët, volumi i tregut ishte rreth 26.3 miliardë lekë, 2% më pak krahasuar me vitin 2018. Rënien më të ndjeshme të të ardhurave e ka pësuar operatori Telekom Albania, me 5%, i ndjekur nga Vodafone me 1%, ndërsa Albtelecom në segmentin e shërbimeve celulare ka deklaruar një xhiro të përafërt me një vit më parë.

Sipas qarkullimit vjetor, tregu edhe për vitin e kaluar u dominua nga Vodafone Albania, që zotëronte pothuajse 55% të totalit, i ndjekur nga Telekom Albania me 31% dhe Albtelecom Mobile me rreth 14%.

Burimi: AKEP

Megjithatë, ecuria e dy segmenteve kryesore të tregut paraqitet e ndryshme. Ndërkohë që të ardhurat nga shërbimet me shumicë janë në rënie të fortë, ato në segmentin e pakicës po rriten. Kjo nënkupton se operatorët po arkëtojnë gjithnjë e më pak para nga terminimi i thirrjeve dhe po i zhvendosin përpjekjet e  tyre për të rritur të ardhurat te shërbimet me pakicë, me shumë të ngjarë duke rritur çmimet.

Një tentativë e tillë u bë në fillim të këtij viti, përmes shtrenjtimit të bashkërenduar të paketave mujore. Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim paraprak dhe urdhëroi pezullimin e aplikimit të paketave deri në fund të periudhës së hetimit.

I vetmi operator që siguron fitime të kënaqshme në treg ngelet Vodafone Albania. Për vitin 2019, fitimi i neto i Vodafone u dyfishua dhe arriti në 1.4 miliardë lekë. Pjesa e lartë në të gjitha segmentet e tregut i mundëson Vodafone përfitueshmëri shumë më të mirë se dy konkurrentët e tjerë. Vitin e kaluar, Vodafone realizoi edhe blerjen e kompanisë së shërbimeve fikse Abcom, duke synuar kështu konvergjencën drejt shërbimeve universale të komunikimeve elektronike.

Burimi: AKEP

Pas dy viteve radhazi me humbje, edhe Telekom Albania përmirësoi rezultatin dhe raportoi një fitim neto prej 285 milionë lekësh vitin e kaluar. Megjithëse është operatori që ka pësuar rënien më të madhe të të ardhurave, Telekom ka përmirësuar performancën financiare, në vitin e parë të epokës bullgare. Vitin e kaluar, grupi grek Cosmote vendosi të largohej nga Shqipëria pas gati 20 vjetësh dhe e shiti kompaninë te konsorciumi bullgar Albania Telekom Invest, për 50 milionë euro.

Burimi: AKEP

Për vitin e kaluar, Albtelecom ishte i vetmi operator me humbje, duke vijuar serinë negative që zgjat prej më shumë se një dekade. Albtelecom ka vuajtur një ngarkesë të lartë me borxhe, por edhe vështirësinë për të siguruar fitime në segmentin e shërbimeve të lëvizshme. Për vitin 2019, Albtelecom raportoi rreth 645 milionë lekë humbje, gati dy herë më shumë krahasuar me vitin 2018.

Burimi: AKEP

Tregu i shërbimeve celulare duket gjithnjë e më i dominuar nga Vodafone, çka në një afat të gjatë mund të jetë një skenar i dëmshëm për interesin konsumator. Dominimi i Vodafone duket qartë edhe në aftësinë për investime të reja. Vitin e kaluar Vodafone investoi 3.5 miliardë lekë në infrastrukturën e rrjeteve celulare.

Nëse përfshijmë edhe investimin prej rreth 60 milionë eurosh në blerjen e Abcom, duket qartë se Vodafone ka kapacitete financiare shumë më të mëdha në raport me dy operatorët e tjerë. Një rrezik tjetër potencial është përdorimi i fuqisë dominuese në tregun celular për të zgjeruar praninë në tregun e shërbimeve fikse, ku sapo ka blerë operatorin e dytë më të madh në këtë treg, Abcom.

Telekom Albania raportoi një vlerë investimesh prej 2.6 miliardë lekësh, ndërsa Albtelecom ishte shumë larg, me vetëm 160 milionë lekë investime në total.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes