Pandemia e Covid-19 e ka paralizuar pothuajse totalisht tregun e fluturimeve në muajin prill. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për marsin numri i pasagjerëve në transportin ajror ishte më pak se 4 mijë, në rënie me 98% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Edhe ky numër lidhet kryesisht me fluturime të organizuara për qëllime riatdhesimi të shtetasve.
Nga 19 kompani të transportit ajror të pasagjerëve që vepronin në Aeroportin e Tiranës para fillimit të epidemisë, në muajin prill kanë zhvilluar fluturime vetëm tre prej tyre.
Mbyllja e kufijve dhe bllokimi i fluturimeve për shkak të Covid 19 bëri që katërmujori i parë i vitit të mbyllej me një bilanc negativ dhe numri i udhëtarëve në transportin ajror ra me 39% krahasuar me katërmujorin e parë të vitit të kaluar.
Më datë 10 mars Shqipëria ndërpreu të gjitha fluturimet me Italinë, ndërsa deri në datën 23 mars u ndërprenë edhe shumica e fluturimeve të tjera, me përjashtim të linjës Tiranë- Stamboll, të operuar nga Air Albania.
Edhe tregu i transportit detar pësoi rënie në të njëjtat përmasa, me një rënie të numrit të pasagjerëve me 96% për muajin prill.
Shoqëritë e transportit të pasagjerëve kanë qenë të prekurat e para nga mbyllja e kufijve dhe pezullimi lëvizjes së shtetasve. Pandemia e Covid 19 pritet të ndikojë rëndë edhe turizmin jashtë kufijve për sezonin veror, ndaj ky pritet të jetë një vit i zymtë për bizneset e transportit ajror dhe detar të pasagjerëve.