17 Gusht

0 komente

Tosk Energji, katastrofa e radhës në Ballsh. Kompania me 28 mijë euro kapital akumuloi 32 milionë euro humbje!

Autor Ersuin Shehu

17 Gusht, 2020

kryesore

Tosk Energji e mbylli aktivitetin e saj në Rafinerinë e Ballshit duke regjistruar katastrofën e radhës financiare. Në tre vjet, Tosk Energji akumuloi humbje në vlerën e gati 32 milionë eurove, nga të cilat rreth 23.5 milionë euro për vitin 2019. Administratori kompanisë e drejton gishtin tek furnitorët vendas dhe kryesisht tek Bankers Petroleum, që, sipas tij, e kanë futur kompaninë në kolaps për shkak të mosfurnizimeve me lëndë të parë.

Megjithatë, ky po bëhet një skenar i përsëritur në Rafinerinë e Ballshit: një kompani merr përsipër operimin, lidh kontratë me Bankers Petroleum, nis punën dhe brenda pak vitesh, e ndonjëherë muajsh, falimenton.

Nëse marrëdhënia me kompanitë që operojnë rafinerinë dështon, është e arsyeshme të mendohet se problemi qëndron pikërisht te besueshmëria dhe serioziteti i kompanive offshore në seri që shfrytëzojnë rafinerinë, lënë pas një mal me borxhe dhe largohen. Nëse këto kompani do të ishin në gjendje të paguanin rregullisht dhe të tërhiqnin porositë e tyre në kohë, logjikisht Bankers nuk duket të ketë ndonjë interes shtesë për ta eksportuar naftën bruto në Maltë ose në Spanjë.

Tosk Energji është një kompani me vetëm 3.5 milionë lekë kapital, ndërkohë që humbjet e akumuluara deri në fund të vitit 2019 arritën në gati 3.9 miliardë lekë. Sesi kompani me resurse kaq të kufizuara arrijnë të marrin përsipër biznese të këtyre përmasave ngelet një paradoks më vete.

Tosk Energji kontrollohet nga një kompani guackë e regjistruar në Zvivër, pas të cilës qëndron një ish-drejtor i ARMO-s në kohën kur ajo zotërohej nga azerët e Heaney Assets, shtetasi zviceran Christophe Darbord.

Darbord arriti madje të siguronte një hua prej rreth 15 milionë eurosh nga kompania e tregtimit të energjisë Gunvor, hua që kishte si qëllim blerjen e depozitave të naftës në Porto Romano nga kompania Genklaudis.

Për këtë hua, Gunvor mbajti si kolateral financiar aksionet e Tosk Energji, por, pas dështimit, nuk vendosi ta merrte në pronësi kompaninë dhe të vazhdonte vetë aktivitetin në Ballsh; me sa duket, për shkak të gjendjes financiare katastrofike të shoqërisë. Gjatë vitit 2019, totali i detyrimeve të Tosk arriti në mbi 5.9 miliardë lekë, nga të cilat rreth 5.25 miliardë lekë janë kredi.

Detyrimet totale të kompanisë janë pothuajse tre herë sa vlera e aseteve të saj, ndërsa kapitali është negativ në vlerën e pothuajse 4 miliardë lekëve.

Ndërkohë, vlera e detyrimeve fiskale në fund të vitit të kaluar ishte 510 milionë lekë dhe autoritetet kanë vendosur masën e sigurimit tatimor mbi pasuritë e kompanisë që në tetor 2019.

Pas “shpartallimit” të radhës, Rafineria e Ballshit pritet që shumë shpejt të rinisë operacionet. Këtë herë, rafineria do të operohet nga vetë kompania pronare, Allum Enteprises, që në tre vitet e fundit e pati dhënë atë me qira te Tosk Energji. Allum Enterprises ka lidhur tashmë marrëveshje furnizimi me Bankers Petroleum, ndërsa siguroi 48 mijë tonë naftë bruto edhe në ankandin e organizuar nga Albpetrol muajin e kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes