Top Channel fitoi 181 milionë lekë ose pothuajse 1.5 milionë euro vitin e kaluar. Pasqyrat financiare të kompanisë tregojnë se rezultati neto i kompanisë u rrit me afro 48 herë krahasuar me vitin 2018. Përmirësimi i rezultatit u ndikua nga një rritje e lehtë e të ardhurave, por sidomos nga ulja e shpenzimeve.
Xhiroja e Top Channel për vitin e kaluar arriti në 1.44 miliardë lekë, në rritje me 5% krahasuar me vitin 2018. Ndërkohë, shpenzimet e kompanisë u ulën me pothuajse 11%. Kompania i shkurtoi me pothuajse 15% shpenzimet operative, me 4% shpenzimet e personelit, ndërsa shpenzimet e zhvlerësimit dhe amortizimit ranë me 16%.
Megjithë rritjen e ndjeshme të fitimeve gjatë vitit të kaluar, pasqyrat financiare të Top Channel duhen marrë me një lloj rezerve, çka është shprehur edhe nga kompania e auditit në opinionin për bilancin. Auditi nënvizon se kompania nuk aplikon një model zhvlerësimi për të drejtat e arkëtueshme, sipas kërkesave të SNRF 9.
Në fund të vitit 2019, Top Channel raportonte llogari të arkëtueshme në vlerën e 853 milionë lekëve dhe llogari të pagueshme për 981 milionë lekë. Audituesi thekson se nga një përzgjedhje e faturave është konstatuar se shoqëria ka shuma të paarkëtuara ose të papaguara prej më shumë se një viti. Nëse këto llogari do të ishin zhvlerësuar, kjo do të jepte ndikim në rezultatin financiar të kompanisë.
Për shkak të mungesës së një modeli të tillë, auditi shprehet se e ka pasur të pamundur të përcaktonte një masë korrigjimi dhe efektin që ky korrigjim do të kishte në fitimin e vitit 2019.
Një element tjetër për t’u theksuar se baza e të ardhurave të Top Channel ka një varësi të konsiderueshme nga transaksionet me palët e lidhura dhe sidomos me Digit-Alb. Për vitin 2019, Top Channel raportonte shitje te Digit-Alb në vlerën e 344 milionë lekëve ose rreth 2.8 milionë eurove. Kjo shumë përbën rreth një të katërtën e xhiros vjetore të kompanisë. Duke marrë në konsideratë faktin se familja e Vjollca Hoxhës ka humbura mazhorancën kontrolluese në Digit-Alb, të ardhurat e Top Channel nga kjo palë e lidhur, në teori, mund të preken që prej këtij viti e në vazhdim.
Në fund të vitit të kaluar, Top Channel ishte televizioni më i madh në vend (pa llogaritur platformat me pagesë), me një total aktivesh në vlerën e 2.83 miliardë lekëve ose 23 milionë eurove.