Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga turizmi vitin e kaluar arritën në afro 2.1 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, këto të ardhura u rritën me 12% krahasuar me vitin 2018. Edhe tremujori i fundit i vitit rezultoi pozitiv, me një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Të ardhurat nga udhëtimet dhe turizmi janë bërë një burim gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare në vitet e fundit. Duke parë shifrat e mësipërme, është e qartë se mbyllja e kufijve dhe paralizimi i lëvizjes së shtetasve pritet të shkaktojë një dëm të madh për ekonomik.
Zëri i udhëtimeve, në terma neto, kontribuoi vitin e kaluar me 500 milionë euro në bilancin e pagesave të vendit. Kjo shumë është afërsisht sa gjysma e vlerës së deficitit të llogarisë korrente të vendit, çka nënkupton se nëse nga bilanci i përgjithshëm do të hiqnim turizmin hyrës dhe dalës, deficit në fjalë do të ishte 50% më i lartë.
Mbështetur në statistikat zyrtare, vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 6.4 milionë shtetas të huaj, në rritje me shumë se 8% krahasuar me vitin 2018.
Paralelisht me turizmin hyrës, edhe vitin e kaluar vazhdoi rritja e shifrave të turizmit të shqiptarëve jashtë vendit. Vitin e kaluar shqiptarët regjistruan 5.9 milionë dalje jashtë vendit. Banka e Shqipërisë raporton se shuma totale e shpenzuar për udhëtimet jashtë arriti në pothuajse 1.6 miliardë euro vitin e kaluar, me një rritje vjetore prej 11%.