30 Qershor

0 komente

Të ardhurat e bankave nga komisionet janë rritur me 77% brenda një dekade

Autor Ersuin Shehu

30 Qershor, 2020

kryesore

Të ardhurat vjetore të bankave nga komisionet kanë kaluar pragun e 11 miliardë lekëve ose rreth 88 milionë eurove. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar zëri i të ardhurave nga komisionet dhe penalitetet arriti nivelin më të lartë historik, prej 11.05 miliardë lekësh. Krahasuar me vitin 2010, të ardhurat e bankave nga ky zë janë rritur me 77%.

Megjithëse kjo mund të jetë ndikuar edhe nga rritja e formalizimit të ekonomisë dhe e numrit të individëve dhe subjekteve që marrin shërbime bankare, një ndikim të padiskutueshëm ka pasur edhe rritja graduale e nivelit të komisioneve dhe tarifave.

Në vitet e fundit, shumica e bankave kanë aplikuar rritje të konsiderueshme të komisioneve dhe tarifave bankare. Në epokën e krizës, me rënien e ndjeshme të normave të interesit dhe rritjen e kredive me probleme, bankat gradualisht kanë tentuar të rrisin bazën fikse të të ardhurave, të lidhur kryesisht me komisionet e shërbimeve. Tashmë, shërbimi i mirëmbajtjes së llogarisë rrjedhëse ka një komision që zakonisht fillon nga 125 lekë në muaj për individët dhe rreth 400 lekë për bizneset.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Ka komisione që janë edhe qartësisht abuzive, siç ndodh me tarifat e vërtetimeve që bankat lëshojnë ose komisionet për mbylljen e llogarive. Për të marrë një vërtetim ku shkruhet se nuk ke asnjë detyrim ndaj bankë, që konsiston në një fletë të prinuar A4, që firmoset dhe vuloset në degë, individët mund të paguajnë deri në 2 mijë lekë komision.

Një tjetër shembull i komisioneve që nuk gjejnë ndonjë justifikim racional janë ato që paguhen për mbylljen e llogarive rrjedhëse. Pasi keni paguar komision për mirëmbajtjen e llogarisë për vite me radhë, në momentin që e mbyllni banka kërkon sërish një komision që mund të jetë në intervalin mes 700 dhe 1500 lekëve.  

BSH: Kemi kthyer metdologjinë në dy raste

Banka e Shqipërisë ka kthyer në dy raste metodologjitë që bankat tregtare kanë paraqitur për rritjen e komisioneve të tyre. Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes, Deniz Deralla, thotë se në të dy këto raste bankat janë tërhequr nga rritja e komisioneve.

Sipas tij, rritja e komisioneve ka qenë e orientuar kryesisht tek shërbimet që ofrohen në sportel dhe ka pasur si qëllim kryesor zhvendosjen e këtyre shërbimeve drejt kanaleve elektronike, me qëllim uljen e ngarkesës në veprimeve në degë.

Një shembull tipik është rritja e komisioneve për pagesën e faturave utilitare në arkat ose sportelet e bankave, ku shumica prej tyre i kanë çuar komisionet në nivelin 300-400 lekë për çdo pagesë.

Megjithëse banka duhet të argumentojë te Banka e Shqipërisë rritjen e komisioneve përmes një metodologjie, thelbi ngelet që sistemi bankar nuk është një treg nën rregullim ekonomik dhe hapësirat për të rregulluar çmimet janë shumë të kufizuara. Në rastin e pagesave ndërbankare në lekë, Banka e Shqipërisë ka shfrytëzuar faktin se ato procesohen përmes sistemeve të saj AECH dhe AIPS dhe iu ka vendosur tarifa tavan që bankat mund të aplikojnë për klientët e tyre.

Çmimet e tjera, qofshin komisione apo interesa, mund të rregullohen vetëm nga mekanizmat e konkurrencës në treg, si edhe nga ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Por, fakt është që numri i bankave pas krizës zbriti nga 16 në 12. Ndonëse një numër më i vogël bankash nuk nënkukpton domosdoshmërisht më pak konkurrencë, së paku tek komisionet përqendrimi i tregut duket se ka sjellë një ndikim negativ për klientët e sistemit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes