9 Janar

0 komente

Studimi, rritja e konkurrencës forcon edhe stabilitetin në sektorin bankar

Autor Ersuin Shehu

9 Janar, 2020


Rritja e konkurrencës në sektorin bankar ndikon edhe në forcimin e stabilitetit të sistemit. Një studim i departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, përgatitur nga Gerti Shijaku, ka arritur në përfundimin se politikat që shtyjnë bankat drejt një konkurrence më të madhe nuk dëmtojnë aftësinë e tyre paguese. Rrjedhimisht, forcimi i konkurrencës forcon shëndetin dhe stabilitetin e sektorit bankar.

Ndër të tjera, një nga objektivat e këtij studimi ishte ballafaqimi me teorinë se, pasi arrihet një prag i caktuar, një rritje e mëtejshme e konkurrencës priret të nxisë stimujt e ndërmarrjes së rrezikut të tepërt dhe mundësinë e dështimit të bankës.

Sipas studimit, zhvillimet e lidhura me rritjen e konkurrencës janë relativisht vendimtare për rritjen e stabilitetit bankar, në veçanti në periudha krize, pasi edhe efekti i tyre mbështetës është gjetur se është i rëndësishëm. Ky ndikim pozitiv është konstatuar si për bankat e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha.

Kriza e nisur pas vitit 2008, solli një ndikim të ndjeshëm në strukturën e sektorit bankar në shumicën e vendeve të Europës. Me qëllim krijimin e bankave më të forta, autoritetet rregullatore nxitën një proces konsolidimi përmes shitblerjeve dhe bashkimeve mes bankave të ndryshme.

Pjesë e këtij procesi ishte edhe trysnia e ushtruar ndaj grupeve të mëdha bankare që patën probleme për të dalë nga tregjet perifierike dhe për të forcuar aktivitetin në tregjet e tyre tradicionale.

Ky proces preku edhe Shqipërinë. Numri i bankave tregtare është ulur në 12, nga 16 që ishin tre vjet më parë. Efekti i këtij procesi në konkurrencën brenda tregut ngelet për t’u parë gjatë viteve në vazhdim. Megjithatë, në rrafshin teorik, krijimi i bankave më të mëdha dhe më të shëndetshme mendohet ta ndikojë pozitivisht konkurrencën në tregun bankar.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes