Sistemi bankar ka vijuar rritjen edhe gjatë muajve të krizës së Covid-19. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se totali i aktiveve është rritur me 31 miliardë lekë ose rreth 250 milionë euro në periudhën nga shkurti deri në korrik. Me bazë vjetore, sektori ka një ritëm rritjeje pranë nivelit të 6.5%.
Rritja e sektorit bankar gjatë muajve të krizës është mbështetur sidomos tek investimi në letra me vlerë të qeverisë shqiptare. Kërkesa e shtuar për mbuluar rritjen e deficitit të shkaktuar nga kriza e Covid-19 është mbuluar kryesisht nga sektori bankar.
Bankat shqiptare ishin edhe ndër investitorët kryesorë në eurobondin prej 650 milionë eurosh të emetuar në Bursën e Londrës. Obligacionet në euro iu kanë dhënë bankave një mundësi të mirë për të investuar likuiditetin e lirë në valutë.
Ndërkohë, edhe huaja ka vijuar të rritet, por me ritme të ngadalësuara, çka është mëse e kuptueshme në kushtet e goditjes së rëndë që mori sektori privat i ekonomisë nga vala e parë e Covid-19. Në terma bruto, portofoli i kredisë është rritur me rreth 17 miliardë lekë ose rreth 137 milionë euro.
Kreditimi shfaqi një ecuri pozitive sidomos në muajt maj dhe qershor, e nxitur edhe nga skemat e garancisë sovrane të qeverisë shqiptare. Megjithatë, rritja ka qenë disa herë më e lartë se shuma e kredisë së mbuluar nga garancitë sovrane, çka tregon se ndërkohë huadhënia normale për bizneset dhe familjet ka vijuar.
Shtyrja e kësteve të kredisë gjithashtu e ka ngadalësuar amortizimin e kredive ekzituese gjatë kësaj periudhe, duke dhënë një efekt më të vogël në uljen e këtij portofoli.