Sigurimi i detyrueshëm i mjeteve e kaluar krizën e shkaktuar nga mbyllja e ekonomisë për shkak të pandemisë së Covid-19. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për 7-mujorin ky segment i tregut u përmirësua më tej. Primet e shkruara bruto u rritën me 1.7%, ndërsa numri i kontratave të sigurimit regjistroi një rritje edhe më të lartë, me 3.3%.
Kufizimet drastike në aktivitetin social dhe ekonomik, përfshi lëvizjen e automjeteve, bënë që shumë kontrata sigurimi për përgjegjësitë ndaj palëve të treta në periudhën e lock doën të mos rinovoheshin.
Në raportimin vjetor në Kuvend, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete, tha se mjetet e pasiguruara arritën deri në 22% të totalit, duke u kthyer problemin në një rrezik sistemik. Por, shifrat e muajve të fundit tregojnë se rifillimi i aktivitetit ekonomik e ka rikthyer sigurimin e mjeteve pranë niveleve normale. Për muajin korrik u prenë pothuajse 53 mijë polica sigurimi TPL të mjeteve, niveli më i lartë mujor i regjistruar këtë vit.
Në tërësi, tregu i sigurimeve ngeli në rënie edhe për 7-mujorin, me 5.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sidoqoftë, rënia u reduktua më tej nga niveli 6.7% i 6-mujorit. Kontributin kryesor pozitiv këtë vit po e jep sigurimi nga fatkeqësitë natyrore. Primet në këtë klasë sigurimi u rritën me 17.8%, ndërsa numri i kontratave me 1.1%. Kjo tregon se primi mesatar i sigurimit të fatkeqësive është rritur ndjeshëm, pas tërmeteve që goditën vendin vitin e kaluar.
Ndërkohë, ecurië më negative po e shfaqin produktet e lidhura direct me lëvizjes ndërkufitare, si kartoni jeshil, polica kufitare apo sigurimi i aksidenteve. Primet në këto klasa sigurimi kanë pësuar rënie në inetrvalin mes 38% dhe 43%.