15 Janar

0 komente

Sigurimet, shqiptarët kërkojnë mbi 11 milionë euro dëme në gjykata

Autor Ersuin Shehu

15 Janar, 2020


Dëmet nga ngjarjet e sigurimit që qytetarët dhe bizneset po i kërkojnë në rrugë gjyqësore kanë arritur në 11.4 milionë euro. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet që janë bërë objekt çështjesh gjyqësore janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.

Që nga janari deri në fund të shtatorit 2019, vlera e dëmeve të kërkuara në gjyq është rritur me 27%. Numri i këtyre çështjeve arriti në pothuajse 900 në fund të 9-mujorit, nga rreth 780 që kishte qenë në fillim të vitit.

Çështjet që përfundojnë në gjykatë, qoftë si numër rastesh, ashtu edhe si vlerë dëmesh, dominohen nga sigurimet e detyrueshme. Kjo lidhet me tiparet e tregut të sigurimeve në Shqipëri, që në masën më të madhe dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.

Dëmet objekt i çështjeve gjyqësore janë një pjesë e rëndësishme e totalit të dëmeve pezull në tregun e sigurimeve  në Shqipëri. Mbështetur në të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet pezull në sigurimet e jo-jetës kishin vlerën e 5.5 miliardë lekëve ose rreth 45 milionë eurove në fund të muajit nëntor 2019.

Kjo shumë përfshin vlerën e dëmeve në proces vlerësimi, të dëmeve të miratuara, por të papaguara, si edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore. Vlera e dëmeve pezull është rritur me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Madje, dëmet pezull vazhdojnë të kenë një vlerë edhe më të madhe se dëmet e paguara, që për 11-mujorin 2019 ishin rreth 4.75 miliardë lekë.

Numri i të siguruarve që presin të zhdëmtohen nga kompanitë e sigurimeve ka arritur në mbi 9,500. Nëse këto dëme do të miratoheshin dhe do të paguheshin të gjitha, vlera e dëmeve për 11-mujorin  do të arrinte një shumë totale prej afro 10.2 miliardë lekësh ose rreth 83 milionë eurosh.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes