Vendimi për shtyrjen e kësteve të kredive pritet të sjellë një ndikim në gjendjen e likuiditetit të sistemit bankar për tremujorin e dytë të vitit. Për shkak të shtyrjes së kësteve, bankat nuk do të arkëtojnë një pjesë të madhe të interesave të kredive, interesa që gjithsesi nuk do të falen, por do të shpërndahen në këstet e ardhshme.
Sipas shifrave të dhëna javën e kaluar nga Guvernatori Sejko, sistemi bankar ka shtyrë më shumë se dy miliardë euro portofol kredie. Kjo shifër përbën rreth 43% të gjithë portofolit të kredisë për ekonominë.
Gjithnjë duke ju referuar Bankës Qendrore, në tremujorin e parë të vitit sistemi bankar arkëtoi rreth 12.3 miliardë lekë nga interesat. Duke llogaritur pjesën që mban sektori bankar në financimin e borxhit të brendshëm, prej kësaj shume mund të zbriten rreth 60% e interesave të paguara nga qeveria për borxhin e brendshëm në tremujorin e parë dhe që, në vlerë, janë rreth 4 miliardë lekë.
Duke zbritur këtë shumë, rezulton se janë rreth 8.3 miliardë lekë interesa që sektori bankar ka arkëtuar nga kreditë e bizneseve dhe individëve për tremujorin I.
Duke qenë se, sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 43 % e portofolit të kredisë, është shtyrë, atëherë interesat e paarkëtuara të sistemit bankar gjatë tremujorit të shtyrjes së kredive do të jenë rreth 3.6 miliardë lekë ose gati 30 milionë euro. Ky mund të jetë një ndikim i përafërt i procesit të shtyrjes së kredive në gjendjen e likuiditetit të sistemit bankar për tremujorin e dytë.
Sidoqoftë, efekti i krizës së Covid-19 pritet të shtrihet edhe më tej gjatë vitit, për shkak të ndikimit të aftësisë paguese të bizneseve dhe familjeve. Ndërmarrjet e sektorëve më të goditur nga kriza pritet të përfitojnë shtyrje të mëtejshme të kësteve të kredive.
Guvernatori, Gent Sejko, tha se Banka e Shqipërisë do t’iu krijojë lehtësitë e nevojshme bankave tregtare për të mbështetur këtë proces. Sidoqoftë, ndikimi në bilancet e këtij viti do të jetë i paevitueshëm dhe rezultati financiar i bankave pritet të jetë shumë më i ulët krahasuar me vitin 2019. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar sektori bankar realizoi një fitim neto në vlerën e rreth 20 miliardë lekëve.
Banka e Shqipërisë ka çliruar bankat nga detyrimi për të riklasifikuar kreditë që do të shtyhen deri në fund të muajit maj. Për sektorë të veçantë ekonomikë, që kanë pësuar goditje më të fortë nga kriza, Banka Qendrore ka premtuar se do ta mbështesë këtë proces, duke lehtësuar bankat nga detyrimet standarde për klasifikim dhe provigjionim, edhe përtej muajit maj.