Luhatjet e çmimeve të ushqimeve e kanë rritur sërish inflacionin gjatë muajit maj. Sipas Instituti të Statistikave, çmimet u rritën me 2.1% krahasuar me një vit më parë, nga 1.9% që kishte qenë rritja në muajin prill.
Megjithëse inflacioni paraqitet më i lartë se vitin e vitin e kaluar, në masën dërrmuese rritja e çmimeve është e përqendruar te ushqimet dhe pjesërisht tek qiratë e banesave.
Inflacioni i grupit të ushqimeve inflacioni u rrit në 4.9%, nga 4.3% që kishte qenë për majin. Çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 23.7 %, pasuar nga nëngrupet e “perimeve” me 6.6 %, “vajra dhe yndyrna” me 5.1 %, “peshk” me 4.5 %, “sheqer e ëmbëlsira” me 3.7 %. Luhatja e lartë në çmimet e frutave dhe perimeve është tipike dhe pritet të stabilizohet gjatë muajve të ardhshëm.
Ndërkohë, shtrenjtimi më i lehtë në çmimet e produkteve ushqimore industriale mund të lidhet edhe me mbiçmimin e përkohshëm të euros në fund të muajit mars, që rriti disi koston e mallrave të blera në atë periudhë. Edhe për muajin maj ka vijuar rënia e inflacionit për grupin “Transporti”, që reflekton çmimet më të ulëta të karburanteve.
Shtrenjtimi i produkteve ku kërkesa ka elasiticitet të ulët mund të shpjegohet me një prirje të tregtarëve për rritur marzhet, në kushtet e krizës dhe të pasigurisë për të ardhmen.
Gjithsesi, kjo valë e rritjes së çmimeve nuk pritet të jetë e qëndrueshme, sepse pasojat e krizës së Covid-19 në ekonomi do të kenë pasoja të ndjeshme në kërkesën e brendshme. Të gjitha projeksionet parashikojnë rënie të prodhimit dhe punësimit gjatë vitit 2020. Kjo do të tkurrë fuqinë blerëse dhe pritet të ndikojë në një inflacion më të ulët në gjysmën e dytë të vitit.
Ky skenar pasqyrohet edhe në pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve. Pritet që inflacioni të rifillojë rritjen drejt objektivit prej 3% vetëm duke filluar nga viti i ardhshëm.