Shqipëria ka ujë vetëm 12.7 orë në ditë. Një nga shërbimet më elementare utilitare ngelet i papërmbushur për shqiptarët, madje ka zona që furnizohen me ujë vetëm 3 orë në ditë, pa shumë ndryshim nga sa ndodhte 50 vjet më parë.
Statistikat më të fundit nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) dhe që i takojnë vitit 2018 tregojnë se Durrësi, Kurbini, Roskoveci, Divjaka apo Kamza ofrojnë furnizim nga 3 deri në 5 orë në ditë. Por, siç vë në dukje vetë ERRU, edhe këto të dhëna mund të jenë pjesërisht fiktive: ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve llogarisin si kohë furnizimi kohën e zbrazjes së depove të ujit, por në shumë zona të rrjetit shpërndarës furnizimi me ujë është realisht më i shkurtër nga sa raportohet në statistikat zyrtare.
Qyteti më i madh në vend, Tirana, furnizohet me ujë vetëm 10 orë në ditë dhe ky tregues është në përkeqësim gjatë tre viteve të fundit (2016-2018). Megjithë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në 65 lekë për m3 në fillim të vitit 2018, gjendja e furnizimit nuk është përmirësuar.
Statistikat tregojnë një realitet të ndryshme nga videoklipet e kryetarit të Bashkisë, kur inspekton investimet apo ndërhyrjeve në rrjet. Pas tërmetit, Bashkia urdhëroi edhe heqjen e depozitave mbi soletat e pallateve, por duke qenë shumë larg të ofruarit furnizim optimal me ujë të pijshëm.
Qytetet që kanë furnizimin më të mirë me ujë të pijshëm janë Tepelena, Librazhdi, Korça dhe Fushë-Arrëzi, me 23-24 orë në ditë.
Ndërkohë, shpërdorimi i ujit të pijshëm ngelet në nivele stratosferike. 63% e ujit që ndërmarrjet UKT hedhin në rrjet nuk paguhet, sepse vidhet ose humbet në rrjet. Treguesi i ujit pa të ardhura ka rënë lehtë vitet e fundit, por niveli ku ndodhet dëshmon qartë ineficiencën skandaloze të ndërmarrjeve që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri.
Sipas Masterplanit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime për Shqipërinë për periudhën 2011-2040, nevojat për investime në sektorin Ujësjellës-Kanalizime parashikohen të jenë në vlerën e 6 miliardë eurove.
Dy vjet më parë, qeveria nisi një nga aksion-reformat e saj të shpallura me bujën e zakonshme: reformën e ujit. Përveç legalizimit të disa lidhjeve dhe rritjes së përqindjes së arëktimeve në bashkitë kryesore, sot e kësaj dite nuk dihet saktësisht çfarë rezultatesh ka sjellë kjo reformë që kryeministri e shpalli me bujë dy vjet më parë. Makineria e propagandës qeveritare ndërkohë ka kaluar në tema dhe aksione të tjera, si KÇK-ja, rindërtimi, epidemia, etj.