Në 11 dhjetor, qeveria shqiptare zyrtarizoi vendimin që, de facto, do të përjashtojë ofruesit kinezë të pajisjeve nga ndërtimi i rrjeteve 5G në Shqipëri. Përmes një memorandumi mirëkuptimi me SHBA për sigurinë e rrjeteve 4G dhe 5G, qeveria ka pranuar kërkesën për të ndaluar ndërtimin e këtyre rrjeteve me teknologjinë e kompanive kineze.
Amabasada amerikane kishte kërkuar në mënyrë eksplicite një masë të tillë, duke e motivuar me çështje të sigurisë. Një kërkesë të ngjashme SHBA ua ka drejtuar të gjitha vendeve partnere, por pjesa më e madhe e tyre ende nuk i janë përgjigjur pozitivisht një kërkese të tillë.
Aleati kryesor europian, Gjermania, përkundrazi, për momentin ka refuzuar të ndërmarrë masa kufizuese ndaj kompanive të veçanta, për sa kohë ato përmbushin kërkesat e katalogut të sigurisë. Kërkesa amerikane për “embargo” lidhet kryesisht me Huawei, një nga ofruesit më të mëdhenj dhe më të zhvilluar ta pajisjeve të rrjetit në Botë, por edhe prodhues më të vegjël kinezë, si ZTE.
Në fakt, përjashtimi i Huawei nga rrjetet 5G rrezikon të krijojë probleme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për tregje më të zhvilluara. Vetë CEO i Vodafone Group, Nick Read, u shpreh këtë muaj kundër një mase të tillë, që, sipas tij, do të ngadalësonte zhvillimin e 5G në Europë. Read tha se, ndryshe nga SHBA, Europa do të kishte humbje të mëdha nga ndalimi i pjesëmarrjes së Huawei në rrjetet 5G.
Megjithatë, siç ishte e pritshme, Shqipëria nuk e “bëri dy” fjalën e amerikanëve. Vendimi i qeverisë sonë do të përjashtojë Huawei nga ndërtimi i rrjeteve 5G, duke iu lënë si alternativë kompanive celulare shqiptare dy konkurrentët e mëdhenj europianë, Nokia dhe Ericsson.
Shqipëria pritet të nisë tenderimin e frekuencave për teknologjinë 5G në vitin 2020. Ndalimi i ngritjes së rrjeteve 5G me pajisje të kompanive kineze mund të rrisë kostot e këtij procesi dhe të krijojë probleme të mëtejshme të lidhura me konkurrencën në treg. Një nga avantazhet e Huawei në raport me konkurrentët është edhe mundësimi i ofrimit të pajisjeve në formë huaje, që operatorët telefonikë mund ta shlyejnë në harkun e disa viteve. Kjo formulë është përdorur për ngritjen e rrjetit të lëvizshëm të Albtelecom.
Rritja e kostove për të ngritur rrjetet 5G me shumë të ngjarë do të kompromentojë më tej konkurrencën në tregun e shërbimeve celulare dhe do të favorizojë operatorin me fuqi dominuese, Vodafone Albania. Falë pjesës së lartë të tregut, fitimeve të bartura në vite dhe ombrellës së një grupi të madh biznesi, Vodafone Albania ndodhet në pozita shumë më të forta krahasuar me dy konkurrentët e tjerë, Telekom Albania dhe Albtelecom.