Shqipëria është plakur me pesë vjet në dekadën e fundit. Statistikat zyrtare tregojnë se në fillim të këtij viti, mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë ka arritur në 37.2 vjeç, nga 32.6 vjeç që ishte në fillim të vitit 2011. Për gratë, mosha mesatare ka arritur në 38.2 vjeç, ndërsa për burrat ajo është 36.3 vjeç.
Rritja e moshës mesatare po vjen si rrjedhojë e shtimit të jetëgjatësisë, uljes së lindjeve dhe rritjes së emigracionit mes të rinjve.
Vitin e kaluar në Shqipëri u regjistruan më pak se 29 mijë lindje, ndërsa pesë vjet më parë lindjet ishin pothuajse 36 mijë. Rënia e lindjeve me pothuajse 25% në harkun e pesë viteve të fundit është një tregues tejet domethënës për tendencat demografike të vendit.
Me këtë ritëm, do të jetë e paevitueshme që popullsia të jetë gjithnjë e më e vogël dhe më e plakur. Vitin e kaluar, qeveria vendosi të rrisë bonusin e lindjeve deri në 120 mijë lekë, por sërish numri i lindjeve pësoi rënie vjetore me 1.3%.
Mosha mesatare e popullsisë po rritet paralelisht nga një riaktivizim i shpejtë i emigracionit mes të rinjve në vitet e fundit. Në dekadën e fundit, mesatarisht më shumë se 40 mijë shqiptarë në vit emigrojnë jashtë vendit.
Kjo kompensohet pjesërisht nga kthimi i shqiptarëve të tjerë ose nga imigrimi i shtetasve të huaj. Por, sërish emigracioni jep efekt negativ neto në numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe në moshën mesatare.
Jetëgjatësia e pritshme në lindje për burrat ka arritur në 77 vjeç, ndërsa për gratë 80.5 vjeç. Sado që Shqipëria është ende ndër vendet më të varfra në Europë, rritja ekonomike, përmirësimi i standardeve të jetesës dhe aksesi më i madh në kura po e rrit jetëgjatësinë mesatare të shqiptarëve. Në kushtet kur lindjet po bien dhe emigrimi po rritet, kjo do të zmadhojë gjithnjë e më shumë faturën sociale të pensioneve dhe kujdesit shëndetësor.
Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, numri total i pensioneve të paguara në fund të shtatorit 2019 ishte 524 mijë. Kjo do të thotë se 18% e shqiptarëve përfitojnë një pension pleqërie, invaliditeti ose pension familjar.
Aktualisht, deficit në skemën e sigurimeve shoqërore është rreth 400 milionë euro në vit dhe kjo “gropë” duhet mbushur çdo vit nga buxheti i shtetit. Me rritjen e moshës mesatare, ky hendek është i destinuar të zgjerohet dhe shteti do të duhet të shpenzojë gjithnjë e më shumë për të paguar faturën e pensioneve.
Një alternativë për ta lehtësuar këtë barrë janë skemat private të pensioneve, por zhvillimi i këtyre skemave në Shqipëri është ende modest dhe incentivat janë të pamjaftueshme. Numri i shqiptarëve që kontribuojnë për një pension privat ka arritur në rreth 28 mijë, por asetet e fondeve ende kanë vlera tejet modeste, me rreth 23 milionë euro në total.