25 Maj

1 komente

Shqipëria eksportoi 837 mijë tonë naftë vitin e kaluar. Prodhimi i Bankers shkon kryesisht në Spanjë.

Autor Ersuin Shehu

25 Maj, 2020

kryesore

Shqipëria eksportoi rreth 837 mijë tonë naftë bruto dhe nënprodukte të saj vitin e kaluar. Statistikat tregojnë se eksportet e këtyre produkteve u rritën me 11% për vitin e kaluar dhe arritën sasinë më të madhe të viteve të fundit.

Megjithatë, konjuktura e çmimeve bëri që të ardhurat nga eksportet e këtyre produkteve të bien ndjeshëm në 33.5 miliardë lekë, 19% më pak krahasuar me vitin 2018.

Eksportet e vajrave minerale dhe nënprodukteve të tyre në Shqipëri mbështeten kryesisht në aktivitetin e kompanisë më të madhe të nxjerrjes së naftës bruto në vend, Bankers Petroleum. Edhe për shkak të problemeve të shumta në industrinë përpunuese të naftës në vend, Bankers Petroleum e eksporton pjesën më të madhe të prodhimit.

Burimi: Instat

Në vitet e fundit, tregu kryesor ku eksportohet nafta e nëntokës shqiptare është Spanja. Vitin e kaluar, drejt Spanjës u eksportua pothuajse 70% e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Marrëdhënia e Bankers me rafineritë spanjolle ekziston prej rreth një dekade, por në dy vitet e fundit sasia e naftës bruto të shitur drejt tyre është rritur edhe më shumë. Gjatë 2019, sasia e naftës bruto të eksportuar në Spanjë arriti në 582 mijë tonë, më e larta e regjistruar ndonjëherë drejt këtij vendi.

Tregu i dytë më i rëndësishëm për naftën bruto dhe nënkproduktet është Italia, ku vitin e kaluar u eksportuan 103 mijë tonë produkte, ose rreth 12% e totalit të eksporteve në këtë kapitull statistikor.

Deri para pak vitesh, një nga destinacionet kryesore të naftës bruto shqiptare ka qenë Malta. Ishulli me më pak se 500 mijë banorë i vendosur mes Siçilisë dhe Afrikës Veriore është bazë e disa rafinerive të rëndësishme të naftës. Eksportet e naftës bruto drejt Maltës arritën pikun në vitin 2016, me një total prej 404 mijë tonësh, ndërsa në tre vitet e fundit kanë rënë në vlera modeste.

Rafineria e Ballshit, dramë dhjetëvjeçare falimentimesh dhe abuzimesh

Raifineria e vetme në vend gjatë viteve të fundit është bërë një serial i turpshëm falimentimesh dhe abuzimesh. Në vitin 2008, ARMO u privatizua nga një konsorcium i kontrolluar nga biznesmeni Rezart Taçi, por ky privatizim rezultoi një katastrofë. Në pesë vjet, ARMO grumbulloi qindra milionë euro borxhe ndaj kreditorëve, tatimeve, furnitorëve dhe punonjësve, derisa në vitin 2013 Rezart Taçi pranoi ta shiste kompaninë tek Heaney Assets, një kompani offshore e kontrolluar prej drejtuesve të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, që në 2008 pati financuar pjesën më të madhe të blerjes së ARMO-s prej tij.

Pas Taçit, edhe azerët dështuan shpejt, çka e futi ARMO-n në kolaps përfundimtar. Asetet kryesore të lëna si kolateral, përfshi rafinerinë, u sekuestruan nga kreditorët dhe u shitën në ankand. Rafineria e Ballshit u riposedua nga Credins Bank.

Me ndërmjetësimin e qeverisë shqiptare, në vitin 2015 Credins ra dakord ta shiste rafinerinë tek një kompani pas të cilës qëndronte biznesmeni shqiptar Besnik Sulaj. Por, IRTC dështoi të paguante shumën e akorduar me bankën, sipas kontratës së shitjes me kusht, ndaj Credins e mori rafinerinë mbrapsht. Jo vetëm kaq, por IRTC la pas borxhe të reja dhe natyrisht puna në rafineri u paralizua sërish.

Seria e fundit i takon viti 2017, kur Credins e shiti rafinerinë tek një kompani e regjistruar në Britaninë e Madhe, e quajtur Allum Enterprises. Kjo kompani nuk e operoi asnjëherë vetë rafinerinë vetë, por e dha me qira tek Tosk Energji dhe Byllis Energji, dy shoqëri të kontrolluara nga kompani guackë të regjistruara në Zvicër dhe të lidhura me një ish-drejtor të ARMO-s, shtetas zviceran.

Operimi i rafinerisë së Ballshit nga kompanitë e mësipërme u mundësua nga një hua e madhe e dhënë nga gjigandi i tregtimit të energjisë, Gunvor. Por, as suporti i Gunvor nuk mjaftoi. Në vitin 2019 edhe Tosk Energji hyri në kolaps dhe nuk ishte më në gjendje të blinte naftë bruto nga Bankers për të vazhduar punën. Që nga nëntori i vitit të kaluar, puna është ndërprerë.

Ndërkohë që qiramarrësi i fundit e ka ndërprerë punën, pronësia e rafinerisë ka ndryshuar sërish. Vitin e kaluar, Allum Enterprises u ble nga një kompani e regjistruar në Zvicër, e quajtur Mercado Exterior. Kjo është një nga shoqëritë tipike guackë të regjistruara në kantonin e Luganos, me qëllim fshehjen e pronarëve të vërtetë të biznesit.

I vetmi personazh me një background domethënës biznesi në strukturat e kompanisë është një shtetas azer, i quajtur Yusif Ayyubov. Ai prej vitesh është rezident në Kroaci, ku zotëron një kompani të pasurive të paluajtshme, të quajtur Montevideo.

Por, ç’është më e rëndësishmja, ai është vëllai i zëvendëskryeministrit të parë të Azerbajxhanit, Yaqub Eyybov, i cili prej fillimit të viteve 2000 është një ndër politikanët më të fuqishëm në vend. Nga kjo, mund të supozohet se pas Mercado Exterior qëndrojnë interesa ekonomike të individëve me lidhje pushteti në Azerbajxhan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes