19 Shkurt

0 komente

“Shakaja” e radhës me AMF-në: Kryeministria shpalli konkurs për të zgjedhur…Ervin Meten.

Autor Ersuin Shehu

19 Shkurt, 2020


Këshilli i Ministrave do t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë kandidaturën e Ervin Metes si drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Aktualisht, Ervin Mete është anëtar jo-ekzekutiv dhe njëkohësisht kryetar i Bordit Drejtues të këtij institucioni.

Pas vitit 2013, në periudha të ndryshme, Ervin Mete ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Financave, zëvendësministrit të Ekonomisë dhe drejtorit të kabinetit të ministrit në këto dikastere. Kandidatura e tij u bë objekt debatesh qysh kur mazhoranca synonte ta emëronte kryetar të Bordit të AMF-së.

Banka Botërore pati shprehur pakënaqësi për emërimin e një kandidati me profil politik, ndërsa, tashmë, mazhoranca ka vendosur t’i besojë një detyrë edhe më të rëndësishme, duke e emëruar drejtues ekzekutiv të institucionit që mbikëqyr tregjet financiare jobankare në vend.

Përzgjedhja e Ervin Metes konfirmon kështu linjën e kontrollit të AMF-së me njerëz me background politik. Ervin Mete do të pasojë në krye të AMF-së Ervin Koçin, që e drejtoi këtë institucion për afro tre vjet, pasi kishte qenë deputet i Partisë Socialiste.

Në logjikën dhe përvojën e deritanishme, drejtimi i AMF-së i është besuar profesionistëve me formim financiar ose aktuaristik, ndërkohë që Ervin Mete do të jetë i pari jurist në krye të këtij institucioni.

Në 10 janar të këtij viti, Kryeministria pati shpallur publikisht një procedurë përzgjedhjeje, duke kërkuar aplikimin e kandidatëve për këtë pozicion. Sipas ligjit, kjo procedurë presupozohet ta bëjë procesin të hapur dhe transparent, por, në fakt, Kryeministria nuk ka dhënë asnjë informacion për numrin e aplikimeve që janë paraqitur, profilin e aplikantëve dhe kriteret mbi të cilat është kryer përzgjedhja e kandidatit në fjalë.

Nuk është hera e parë që konkurset shërbejnë si farsa për të emëruar kandidatura politike dhe, me të gjitha gjasat, të paracaktuara. Kjo jo vetëm që cënon besueshmërinë e institucioneve, por edhe dekurajon profesionistët e mirëfilltë nga pjesëmarrja në procedura të këtij lloji, duke i mbajtur ata larg sektorit publik.  

Ndërkohë që më në fund shumica ka përzgjedhur një kandidat për pozicionin e drejtorit, prej një viti AMF-ja është pa një zëvendësdrejtor ekzekutiv… sepse Ministria e Financave thjesht nuk e ka parë të arsyeshme të çojë kandidatë në Kuvend!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes