Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA), në mbledhjen e rradhës së Asamblesë së Anëtarëve, miratoi strategjinë e veprimtarisë për vitin 2021. Sipas njoftimit të Shoqatës, edhe gjatë këtij viti, shtyllat kryesore të veprimtarisë do përqëndrohen në promovimin e sektorit, arritjeve dhe sfidave të tij, advokimit dhe përfaqësimit me politikëbërësit, rregullatorët dhe aktorët e tjerë të tregut.
Objektiva do të jenë edhe rritja e nivelit të edukimit dhe përfshirjes financiare, si edhe rritjes së kapaciteteve të anëtarëve dhe forcimit të bashkëpunimit mes tyre. Një përparësi e vecantë edhe këtë vit do vijojë t’i jepet misionit social të aktivitetit të mikrofinancës, ndikimit që ai ka në shoqëri nëpërmjet uljes së varfërisë dhe rritjes së punësimit, dhe gjatë këtij viti është planifikuar një studim i posacëm për të matur dhe vlerësuar këtë ndikim.
Realizimi i objektivave synohet të bëhet studimeve të tregut për të treguar dhe kuptuar me tepër mbi rolin konkret që mikrofinanca ka në përmirësimin e cilësisë së jetës së individit, tryezave të ndryshme diskutimi dhe pjesëmarrje aktive me ndikim direkt në kuadrin rregullator të
mikrofinancës për të mundësuar më shumë akses në financim, si dhe trajnime për anëtarët e saj dhe punonjësit e tyre për të përshpejtuar digjitalizimin e shërbimeve mikrofinanciare, dhe për të krijuar edhe më tepër mundësi dhe fleksibilitet për qytetarët.
Presidencën e rradhës edhe për këtë vit do ta mbajë Institucioni Financiar Jo-Bankë Kredo Finance, nëpërmjet kontributit të Drejtores Ekzekutive të tij, znj. Arlinda Muja, mandati i së cilës mbaron në fund të vitit 2021.
Gjithashtu, Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare i janë bashkuar dy anëtarë, AgroKredit sh.a., si edhe AK – Invest sh.a., i cili i është bashkuar Shoqatës si anëtar me të drejta të plota që nga fillimi i këtij viti. Me këto zhvillime, së bashku me anëtarët aktualë – Agro & Social Fund, Crimson Finance Fund Albania, FedInvest SHKK, Fondi BESA, IuteCredit Albania, Kredo Finance, NOA, dhe UniFin SHKK, numri i anëtarëve të Shoqatës shkon në dhjetë Institucione Financiare Jo-Banka dhe Shoqëri Kursim Krediti.