13 Maj

0 komente

Sejko-bizneseve: Mos prisni që bankat të mbajnë gjithë koston e krizës

Autor Ersuin Shehu

13 Maj, 2020

kryesore

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi të mërkurën se bankat tregtare nuk mund të mbajnë të gjithë koston e krizës. Gjatë një takimi me bankat tregtare dhe bizneset, Sejko tha se stabiliteti i sistemit financiar është prioritet i panegociueshëm.

Guvernatori u shpreh se bankat duhet të gjejnë një ekuilibër të drejtë mes mbështetjes së kredimarrësve dhe nevojës për të ruajtur shëndetin e bilanceve të veta. Këto deklarata vijnë në kushtet bur bizneset po hsfaqin një trysni në rritje për shtyrje më të gjata të kredive, por edhe pakënaqësi për vështirësitë në përfitimin nga skema e kredive të garantuara.

“Biznesi shqiptar duhet të tregohet transparent dhe luajal me sektorin bankar. Ky sektor duhet të ofrojë ndihmën e tij në përballimin e krizës, por ai nuk mund ta përballojë i vetëm faturën financiare të saj. Po ashtu, sektori bankar duhet të gjejë një ekuilibër të drejtë midis mbështetjes së kredimarrësve në nevojë – në interes dhe përfitim afatgjatë të dyanshëm – dhe ruajtjes së shëndetit të bilanceve të tij.

Stabiliteti monetar dhe financiar është i panegociueshëm për Bankën e Shqipërisë. Në përputhje dhe me mandatin tonë ligjor, ai ka qenë dhe do të jetë guri i themelit të politikave tona,” tha Sejko.

Në mars të këtij viti, Banka e Shqipërisë krijoi kushtet rregullatore që bankat të shtynin këstet e kredive të bizneseve dhe individëve deri në fund të muajit maj. Deri tani, bankat kanë shtyrë mbi 2 miliardë euro portofol kredie të biznesit, por trysnia për shtyrje të mëtejshme ngelet e fortë, sidomos për sektorët më të prekur nga kriza, si turizmi, fasonet apo transporti. Guvernatori Sejko u shpreh i gatshëm për të lehtësuar këtë proces edhe më tej, në bashkëpunim me bankat tregtare.

“Sektori bankar duhet të bëjë një rivlerësim të qëndrueshmërisë së modelit të biznesit të kredimarrësve, në realitetin post-Covid. Klientët në vështirësi të përkohshme financiare, por me modele të qëndrueshme biznesi, duhet të mbështeten me likuiditet dhe lehtësi të përkohshme operacionale. Klientët në vështirësi më serioze mund të ndihmohen nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, në formën e një tjetër shtyrjeje të përkohshme të këstit apo në formën një ristrukturimi tërësor të saj, gjithnjë dhe për aq kohë sa perspektiva afatgjatë e biznesit mbetet solide.Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të inkurajojë një përqasje proaktive të sektorit bankar ndaj këtij procesi, pa paragjykuar në asnjë moment stabilitetin e sektorit dhe transparencën e bilanceve të tij,” tha ai.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi, kërkoi më shumë qartësi në skemat e mbështetjes që do të garantohen nga qeveria shqiptare. Pedrazzi tha se, deri tani, jo të gjitha premtimet e qeverisë janë reflektuar në vendimet zyrtare të marra, ndaj kërkoi një përpjekje më të madhe nga qeveria për t’i bërë sa më efikase dhe të dobishme për bizneset skemat e ofruara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes