2 Nëntor

0 komente

Sa “kushton” kapitali i bankave?

Autor Ersuin Shehu

2 Nëntor, 2019


Banka e Shqipërisë vlerëson se kostoja e kapitalit në sistemin bankar shqiptar është pranë nivelit 12.75%: diferenca midis këtij treguesi dhe kthimit aktual mbi kapitalin do të ishte një matje e mjaftueshmërisë së fitimit të një banke nga këndvështrimi i aksionerëve të saj. Vlerësimi i kostos së kapitalit në sektorin bankar bazohet në primin e rrezikut sovran ku banka kryen veprimtarinë dhe primin e rrezikut të bankës.

Bazuar në këta tregues, kostoja e kapitalit për bankat në Shqipëri, sipas të dhënave të fundit të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019, vlerësohet ndërmjet 9.25% dhe 16.25%, dhe ka një vlerë mesatare prej 12.75%. Në nivel sektori, kthimi mesatar nga kapitali i bankave për këtë periudhë ishte 14.3%. Kjo do të thotë që, në terma mesatarë, sektori bankar është në gjendje të mbulojë koston e kapitalit nëpërmjet të ardhurave që gjeneron nga aktiviteti i tij. Megjithatë, për disa banka, aktivet e të cilave zënë rreth 23% të aktiveve të tregut, normat aktuale të kthimit nga kapitali janë më të ulëta se kostot e vlerësuara të tij.

Gjatë viteve të krizës, kthimi nga kapitali pësoi rënie të ndjeshme, por pas vitit 2017 ky tregues  është luhatur pranë normës mesatare të vlerësuar të kostos së kapitalit prej 12.75%. Megjithatë, në analizën e vet Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat mund të operojnë në mënyrë të qëndrueshme me norma të kthimit nga kapitali më të ulëta sesa kostoja e tij. Kjo është plotësisht e mundur, në kushtet kur kapitali përfaqëson një angazhim afatgjatë të aksionerëve, dhe në kushtet kur bankat kanë rezultate financiare pozitive.

Sipas Bankës Qendrore Europiane, kostoja mesatare e kapitalit të bankave në Eurozonë qëndron midis 8% dhe 10%, në një kohë që norma e kthimit nga kapitali është aktualisht mesatarisht 6%. Megjithatë, mosmbulimi i kostos së kapitalit, në afatin e gjatë do të sillte aftësi të kufizuar të bankës për të zgjeruar veprimtarinë me burime të brendshme.

Primi i rrezikut të investimit

Në një ekonomi gjithnjë e më të globalizuar, një ndër çështjet më delikate për investitorët është llogaritja e rrezikut të investimit. Ekonomi të ndryshme kanë rreziqe të ndryshme të lidhura me qëndrueshmërinë politike, ligjore, ekonomike apo të tregut që ofron secili vend. Mbi bazën e këtyre vlerësimeve, tentohet të llogaritet një prim i rrezikut të kapitalit, që, në thelb, mat rrezikun e të investuarit të parave në një ekonomi. Për shembull, një kompani që ka aktivitet në Gjermani, para se të vendosë të të shtrijë biznesin e saj në Shqipëri, do të bëjë një vlerësim të kujdesshëm të rrezikut të të investuarit dhe normës optimale të fitimit që synon nga ky investim.

Për të dhënë një informacion krahasues për riskun e investimit, ekonomisti Aswath Damodaran ka kryer një studim, përmes të cilit llogaritet primi i rrezikut të kapitalit në shumicën e ekonomive botërore. Damodaran është një ekonomist me origjinë indiane dhe profesor i Financës së Koorporatave në Shkollën e Biznesit Stern, pranë Universitetit të Nju-Jorkut.

Përcaktimi i primit të rrezikut të kapitalit mbështetet mbi disa faktorë, ku themeli i parë është rating (vlerësimi) sovran i ekonomisë. Studimi ka marrë për referencë vlerësimin e Moody’s, ku Shqipëria qëndron në nivelin B1. Ky vlerësim përkthehet në një prim rreziku prej 4.5%. Në vetvete, vlerësimi sovran ka një peshë të konsiderueshme dhe përcakton diferenca thelbësore. Kështu, për vendet me rating Aaa, primi i rrezikut bazuar në këtë faktor është 0. Më tej, primit të rrezikut që rrjedh nga rating i shtohet primi i rrezikut të secilës ekonomi.

Ky prim rreziku përcaktohet kryesisht mbi bazën e rrezikut të falimentit për çdo vend dhe në rastin e Shqipërisë, teknikat e përdorura e vendosin këtë këtë indikator në 6.25% (mbështetur në shifrat e janarit 2019). Kësaj shifre i shtohet primi specifik i rrezikut për secilën bankë, që mbështetet në disa studime empirike. Sipas këtyre studimeve, kosto e kapitalit për bankat është ndërmjet intervalit 3% dhe 10%.  Duke mbledhur shifrat në këtë interval me primin e rrezikut të ekonomisë, Banka e Shqipërisë ka arritur në konkluzionin se primi i rrezikut për bankat luhatet mes 9.25% dhe 16.25%, me një mesatare prej rreth 12.75%.

Rreziku i investimit dhe pritshmëria e fitimit

Primi i rrezikut të investimit natyrshëm shërben si bazë për normat e pritshme të kthimit nga kapitali që vendos një investitor. Në një ekonomi me rrezik të lartë, një investitor do të tentojë norma më të larta fitimi, për të mbuluar rrezikun e marrë përsipër. Përkundrazi, në një ekonomi me rrezik të ulët, një kthim më i ulët nga kapitali do të ishte i pranueshëm, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë dhe rreziqet më të ulëta që paraqet një vend i zhvilluar, në afatin e gjatë. Targetimi i një norme të kënaqshme kthimi nga kapitali do të përfshinte primin e rrezikut, sipas vlerësimit më lart, plus kthimin nga investimi me rrezik minimal, që përgjithësisht vlerësohet kuponi i obligacioneve qeveritare.

Aktualisht, kuponi i obligacioneve 10 vjeçare është 5.53%. Duke mbledhur kthimin e investimit pa rrezik (kuponin e obligacioneve, 5.53%) dhe primin e rrezikut të kapitalit (12.75%), kthimi optimal nga kapitali për një investtior në tregun bankar shqiptar, në teori, do të ishte rreth 18.28%. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se kthimi mesatar i sistemit prej 14.3%, i regjistruar në gjysmën e parë të këtij viti.

Pavarësisht se një kthim nga kapitali në mbi 18% ngelet një objektiv shumë ambicioz për kohërat që po kalon ekonomia, është e kuptueshme që kush investon në ekonominë shqiptare ka pritshmëri për kthime të larta, duke pasur parasysh primet relativisht të larta të rrezikut. Rënia e kthimit nga kapitali natyrshëm që ul interesin për të investuar në një ekonomi, për më tepër në një mjedis ekonomik botëror është është ende i zymtë. 15 vjet më parë, një bankë apo kompani telekomunikacionesh nga Europa Perëndimore e shihte Shqipërinë me shumë interes si destinacion investimi, për shkak të potencialeve të mëdha të fitimit. Sot, shumë nga këto kompani janë të predispozuara për t’u larguar nga Shqipëria apo nga vendet përreth, sepse tregu nuk ofron më fitime të mjaftueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes