Rrjeti më i madh i supermarketeve në Kosovë, “Viva Fresh Store” ka arritur një marrëveshje për të blejë rrjetin e supermarketeve në Maqedoninë e Veriut “Kit-Go” për 50 milionë euro ose rreth 58 milionë dollarë amerikanë. Transaksioni pritet të mbyllet në fillim të vitit të ardhshëm, pasi të ketë marrë edhe miratimet e nevojshme ligjore.
“Viva Fresh” u themelua në vitin 2003 në Ferizaj dhe sot është operatori më i madh i zinxhirit të shitjeve me pakicë në Kosovë, me 96 pika shitjeje në 25 qytete. Në vitin 2019, “Viva Fresh” hyri edhe në tregun e Maqedonisë së Veriut në vitin 2019. Tashmë, ajo synon të bëhet një faktor i rëndësishëm edhe në tregun maqedonas, duke blerë rrjetin e “Kit-Go”, që operon me 24 markete në 11 qytete në Maqedoninë e Veriut. “Kit-Go” ka një qarkullim vjetor prej rreth 70 milionë USD dhe punëson 837 persona.
“Viva Fresh” ishte ndërmarrja e dytë më e madhe në Kosovë për nga vlera e qarkullimit vjetor deri në vitin 2019. Sipas pasqyrave financiare të vitit 2019, “Viva Fresh” realizoi të ardhura totale nga shitjet dhe nga zëri i të ardhurave të tjera për një total prej 187.2 milionë eurosh, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e të ardhurave u mbështet sidomos nga zgjerimi i shitjeve prej aktivitetit kryesor, që janë shitjet me pakicë, përmes rrjetit të marketeve që mban të njëjtin emër. Me këto shifra, ajo është njëkohësisht kompania më e madhe e shitjeve me pakicë në Kosovë.
Sipas informacionit në faqen e kompanisë, “Viva Fresh” punëson rreth 3200 individë. Ajo është kompani me kapital kosovar dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Xhevdet Rexhepi.