Rritja e turizmit në vitet e fundit po nxit investime të reja në këtë sektor. Mbështetur në të dhënat e Instat, në dy vitet e fundit janë dhënë gjithsej 142 leje për ndërtimin e strukturave të reja akomoduese.
Për vitin 2019, numri i lejeve të dhëna ishte 67, të cilave iu shtohen 75 leje të dhëna gjatë vitit 2018.
Ndërkohë, vlera e projekteve të reja, mbështetur në lejet e ndërtimit, për dy vitet e fundit ka arritur në rreth 143 milionë euro. Në veçanti, viti 2019 regjistroi vlerën rekord të 13.8 miliardë lekëve ose 112 milionë eurove, çka dëshmon për investime në struktura më të mëdha dhe më të rëndisishme akomoduese.
Shpesh në vitet e fundit, operatorët turistikë kanë vendosur theksin në faktin se Shqipëria nuk ka kapacitete për t’iu përgjigjur numrit në rritje të turistëve të huaj. Problem për rritjen e turizmit është përmasa e vogla e njësive akomoduese.
Mesatarisht, një hotel në Shqipëri ka rreth 33 shtretër. Një përmasë e tillë e bën të vështirë tërheqjen e grupeve të mëdha, por mbi të gjitha nuk mundëson përfitime nga ekonomitë e shkallës.
Prej vitit 2017, Shqipëria aplikon incentiva fiskale, me qëllim tërheqjen e investimeve elitare në sektorin e turizmit. TVSH për shërbimet e akomodimit është ulur në 6%, ndërsa hotelet me katër dhe pesë yje do të përjashtohen nga pagesa e tatim-fitimit për 10 vjet.
Sipas Instat, për vitin 2019, vendin tonë e vizituan 6.4 milionë shtetas të huaj, në rritje vjetore me 8%. Ky është numri më i madh vjetor i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri.