Shqipëria vijon të mbajë kryesimin e palakmuar në renditjen e raportit të kreidve me probleme mes vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Të dhënat periodike të publikuara nga Nisma e Vienës tregojnë se pavarësisht përmirësimeve, raporti prej 8.4% të kredive me probleme në Shqipëri ishte më i larti mes vendeve anëtare të kësaj nisme, në fund të vitit 2019.
Vitin e kaluar, Shqipëria dhe Kroacia regjistruan uljen më të ndjeshme të raportit të kredive me probleme, me 2.7 pikë përqindje: megjithatë, kjo nuk i mjaftoi Shqipërisë për lënë pozicionin më të keq mes 17 vendeve anëtare.
Raporti i kredive me probleme, Dhjetor 2019 (%) | Ndryshimi vjetor (pikë përqindje) | Vlera e kredive të këqija (miliardë euro) | Ndryshimi vjetor (%) | |
Shqipëri | 8.4 | -2.7 | 0.4 | -25 |
Bosnje – Hercegovinë | 8.0 | -0.7 | 0.8 | -6.1 |
Bullgari | 7.6 | -0.2 | 3.4 | 0.2 |
Kroaci | 7.0 | -2.7 | 2.4 | -27.6 |
Kosovë | 2.4 | -0.2 | 0.1 | -1.4 |
Mali i Zi | 5.1 | -2.3 | 0.1 | -26.5 |
Maqedoni e Veriut | 4.6 | -0.4 | 0.3 | -2.7 |
Rumani | 4.6 | -0.4 | 2.9 | -7.6 |
Serbi | 4.1 | -1.6 | 1.0 | -12.1 |
Slloveni | 3.4 | -2.6 | 1.1 | -40.8 |
Raporti i radhës i Nismës së Vienës vë në dukje se emergjenca e Covid-19 ka sjellë skenarë shqetësues. Sipas raportit, mes bankave ka një shqetësim në rritje se niveli i kredive me probleme do të pësojë një rritje të fortë, sapo efektet e krizës të fillojnë të materializohen në ekonomi.
Vala më e madhe e kredive me probleme mund të shfaqet në tremujorin e katërt të këtij viti, kur masat e përkohshme rregullatore të shfuqizohen dhe kur shumë huamarrës të mos kenë fuqi paguese për t’iu përgjigjur detyrimeve ndaj bankave.
Një valë e dytë, më e ngadaltë, mund të shfaqet në gjysmën e parë të vitit 2021, ndërsa ritmi i falimentimeve të bizneseve dhe i shtimit të papunësisë do të varet nga shkalla e dëmit që ekonomitë do të pësojnë nga kriza.
Një valë e tretë mund të vijë nga fundi i vitit 2021, nga pasojat e tërthorta të krizës mes sektorëve të ndryshëm dhe përcjellja e tyre në zinxhirin e vlerës në ekonomi.
Ndër sektorët që do të goditen më rëndë nga rritja e kredive të këqija priten të jenë turizmi, transporti, shërbimet e restoranteve dhe kompanitë e mikrofinancës.