Rritja e çmimeve të konsumit në ekonomi ishte e dobët edhe për shkurtin. Pas normës zyrtare të inflacionit, edhe indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie. Sipas Instat, për muajin shkurt ky tregues zbriti në 1.4%, nga 1.6% që kishte qenë për janarin.
Shqipëria vazhdon të ketë një rritje të këtij treguesi më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, që për muajin shkurt ishte në nivelin 1.7%. Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Rritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve vazhdon të vijë kryesisht nga grupi i ushqimeve, me më shumë se 75% të kontributit total në rritje.
Rritja e dobët e çmimeve edhe gjatë muajve të fundit po e bëjnë gjithnjë e më të mundshëm rritjen e mëtejshme të stimulit monetar në ekonomi.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës të mërkurën e ardhshme dhe rrethanat e reja, të krijuara pas shfaqjes së virusit Covid 19, e bëjnë shumë të mundshme një ndërhyrje të re, që mund ta ulë normën bazë të interesit poshtë nivelit aktual prej 1%.
Madje, në strategjinë e fundit afatmesme, Banka e Shqipërisë ka vendosur të marrë në konsideratë edhe aplikimin e masave jokonvencionale, të ngjahsme me ato të aplikuara nga bankat e tjera qendrore gjatë viteve të krizës.
Virusi pritet të japë pasoja të rënda në të gjithë ekonominë botërore dhe qeveritë e vendeve të prekura po përgatisin paketa masash për të mbështetur sektorin privat dhe për të zbutur efektet.
Covid 19 ishte faktor përcaktues në vendimmarrjen e fundit të Rezervës Federale amerikane, që të dielën uli normën me 1 pikë përqindje njëherësh, duke e çuar në intervalin mes 0 dhe 0.25 pikë përqindje.