Kredia për biznese është përmirësuar gjatë tremujorit të parë të vitit, ku norma vjetore e rritjes prej mesatarisht 8.2% është 1 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i kredisë për biznese gjatë këtij tremujori është mbështetur nga kreditimi në lekë për likuiditete dhe për investime. Kështu, kreditimi për likuiditete ruajti norma të ulëta rritjeje, prej 3.5% mesatarisht, sikurse edhe në dy tremujorët e mëparshëm. Në ndryshim nga më parë, rritja në këtë tremujor ishte në monedhën vendase.
Nga ana tjetër, vijimi i normave të larta të rritjes të kredisë për investime duket të jetë mbështetur si nga kreditimi në lekë, ashtu edhe nga ai në valutë. Kjo kredi u rrit mesatarisht me 11.8% me bazë vjetore dhe rritja tremujore e saj prej 3.2 miliardë lekësh është ndikuar pothuajse njësoj nga të dy monedhat.
Sipas madhësisë së biznesit, vihet re se kredia është ngadalësuar për segmentin e biznesit të vogël dhe të mesëm (SME), dhe është përshpejtuar për atë të biznesit të madh gjatë tremujorit të parë të vitit 2021. Bankat vijojnë të jenë të kujdesshme në financimin e nevojave të SME-ve, për shkak të rrezikut më të madh që ato mbartin, veçanërisht në kuadër të vështirësive që ka shkaktuar pandemia. Kreditimi për ta është tkurrur krahasuar me fundin e vitit 2020 dhe norma vjetore e rritjes së këtij portofoli, prej rreth 5%, është ndër më të ulëtat e pesë viteve të fundit.
Sa i takon biznesit të madh, kreditimi shfaqet në përmirësim dhe rritja vjetore e kredisë për këtë segment u përshpejtua në rreth 11%. Rritja tremujore e këtij portofoli, me rreth 4.5 miliardë lekë, ka reflektuar kryesisht rritjen e kredisë në valutë me rreth 4 miliardë lekë.
Financimi i bizneseve sipas sektorëve të ekonomisë tregon se rritja e portofolit për tremujorin e parë ka qenë e përqendruar tek sektori i industrisë dhe ai i ndërtimit. Normat e rritjes vjetore të kredisë për këta dy sektorë kanë shënuar përmirësim, përkatësisht në 10.0% dhe 14.0%.
Gjithashtu, rritja e ndjeshme tremujore e këtyre dy portofoleve ka kompensuar tkurrjen e kredisë për sektorin e bujqësisë dhe atë të tregtisë dhe shërbimeve, të cilët janë edhe sektorë që dominohen nga SME-të. Krahasuar me një vit më parë, normat e rritjes së kredisë për dy sektorët e fundit janë ngadalësuar në përkatësisht 6% dhe 7%. Ndërkohë, kredia për sektorin e bujqësisë u tkurr për herë të parë në dy vitet e fundit.
Këto zhvillime janë reflektuar në rritjen e peshës së sektorit të industrisë dhe të ndërtimit në totalin e kredisë, në 26% dhe 14.5% përkatësisht. Ndërkohë, vihet re tkurrje e peshës së kredisë për sektorin e tregtisë, shërbimeve dhe bujqësisë, respektivisht në 43.9%, 14.4% dhe 1.2%, të kredisë totale për biznese.