Shqipëria është në javën e dytë të përballjes me virusin Covid 19 dhe shqetësimi për ndikimet që ai do të ketë në ekonomi është në rritje. Për momentin, tregu financiar po reagon pa ndonjë panik ndaj kësaj situate.
Në ankandet e kësaj jave të bonove dhe obligacioneve të qeverisë, normat e interesit nuk shfaqën luhatje shqetësuese. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, obligacionet dyvjeçare u emetuan ditën e mërkurë me një kupon prej 2.25%, nivel i njëjtë me ankandin e mëparshëm, të muajit shkurt. Ndërkohë, bonot 12 mujore u emetuan të martën me një yield mesatar të ponderuaer prej 2.05%, në rritje nga niveli 1.92% i ankandit të mëparshëm që ishte zhvilluar më datë 3 mars.
Megjithatë, rritja e lehtë e interesave për bonot 12 mujore ka nisur qysh nga fillimi i këtij viti dhe duket se është e lidhur me një tendencë korrektuese, pas rënies së ndjeshme në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Pavarësisht se në tregun financiar për momentin nuk ka alarm, perspektivat janë shqetësuese. Rreziku për ekonominë është në rritje dhe kjo pritet të reflektohet në norma më të larta interesi të huasë, si për qeverinë, ashtu edhe për sektorin privat.
Tashmë, pritet që edhe Banka e Shqipërisë të ndërhyjë, në rrugën e ndjekur nga Banka Qendrore Europiane dhe nga Rezerva Federale Amerikane. Tregu ka nevojë për një sinjal tjetër, përmes uljes së normës bazë të interesit, që aktualisht qëndron në nivelin 1%.
Banka Qendrore e ka paralajmëruar mundësinë e një uljeje të mëtejshme të interesave që nga mesi i vitit të kaluar, por goditja nga koronavirusi duket se do ta bëjë të pashmangshme një ulje të shpejtë të normës bazë.
Megjithatë, kjo mund të mos mjaftojë dhe ky mund të jetë pikërisht momenti për të provuar për herë të parë përdorimin e instrumenteve të reja të politikës monetare. Banka Qendrore Europiane e ka bërë këtë përmes blerjes masive të obligacioneve në tregun dytësor, duke injektuar sasi të mëdha paraje në ekonomi.
Një manovër e ngjashme mund të pritet nga Banka e Shqipërisë, në kushtet kur hapësirat e veprimit përmes instrumentit klasim të normës bazë tashmë janë mjaft të vogla.