Një projekt-rregullore e përgatitur së fundmi nga Banka së Shqipërisë mund të frenojë zhvillimin e tregut të titujve në Shqipëri. Projekt-rregullorja “Mbi kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara” në nenin 13 përcakton se banka mund të shesë obligacione te klientët joprofesionistë, vetëm në rast se vlera nominale e instrumentit është të paktën pesë milionë lekë.
Sipas Bankës Qendrore, rregullorja, përfshi dispozitën në fjalë, reflekton direktivën europiane për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka ( The Bank Recovery and Resolution Directive) .
Bankat kanë qenë promotorët kryesorë të instrumenteve të borxhit privat në Shqipëri, përmes obligacioneve me ofertë private. Në shumicën e rasteve, qëllimi i këtyre instrumenteve është përdorimi si kapital rregullator i nivelit të dytë, sipas kërkesave të rregullores përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Deri më sot, bankat i kanë shitur këto instrumente kryesisht tek investitorë të përzgjedhur, kryesisht klientë të vetë bankës. Me rregulloren e re, obligacionet e individëve poshtë vlerës së pesë milionë lekëve nuk do të njihen si pjesë e kapitalit rregullator. Vendosja e kësaj shume dysheme mund të përjashtojë nga mundësia për blerjen e këtyre instrumenteve investitorët e vegjël individualë.
Kjo pengesë vjen në momentin kur Shqipëria për herë të parë ka arritur rë ngrejë një bursë funksionale dhe që po tenton të mundësojë listimin e kompanive private në të. Bankat janë ndër subjektet me potenciale më të mëdha për të emetuar tituj në bursë, për shkak të rritjes graduale të kërkesave rregullatore për kapital, por edhe përvojës së krijuar në vitet e fundit me obligacionet me ofertë private.
Nëse rregullorja e re miratohet, kjo do ta vështirësojë procesin për bankat, si edhe do të privojë investitorët e vegjël nga një mundësi potenciale investimi.