27 Mars

0 komente

Remitancat arrijnë në 702 milionë euro

Autor Ersuin Shehu

27 Mars, 2020


Remitancat u rritën sërish vitin e kaluar dhe arritën vlerën e 702 milionë eurove. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e remitancave u rrit me 32 milionë euro ose pothuajse 5% krahasuar me vitin 2018.

Edhe tremujori i fundit rezultoi pozitiv, me dërgesa të emigrantëve në vlerën e 182 milionë eurove, gati 8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vitet e fundit, remitancat i janë rikthyer sërish rritjes dhe besohet që faktori kryesor të jetë vala e re e emigracionit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit European.

Vijimësia e emigracionit besohet se do të bëjë që remitancat të qëndrojnë në nivele të larta edhe për vitet në vazhdim. Të dhënat e Instat treguan se vetëm vitin e kaluar pothuajse 44 mijë shqiptarë lanë vendin.

Edhe 30 vjet pas ndryshimit të regjimit, remitancat ngelen një burim tejet i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, sidomos për shtresat më të varfra të popullsisë. Studimet kanë treguar se remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare.

Për familjet që marrin remitanca, ato përbëjnë rreth 90% të të ardhurave të tyre totale, çka dëshmon qartë një varësi pothuajse të plotë ekonomike prej tyre për rreth një të katërtën e familjeve shqiptare.

Remitancat ngelen gjithashtu një burim i rëndësishëm për plotësimin e nevojave të ekonomisë me valutë dhe për ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente të vendit. Pa dërgesat e emigrantëve, deficiti i llogarisë korrente do të ishte rreth 70% më i lartë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes