Pak ditë më parë, një drejtues në tregun financiar më thoshte në një bisedë private se shpresat më të mëdha për planin e shumëpritur për shpëtimin e ekonomisë i kishte nga Anila Denaj. Pakkujt i shkonte mendja se ministrja e Financave dhe Ekonomisë do të mënjanohej nga drejtimi i planit për të zbutur pasojat e shktuara nga COVID 19.
Platforma që prezantoi kryeministri nuk ngrohu pothuajse asnjeri dhe ndër të paktat surpriza që rezervoi ishte përzgjedhja e njeriut në krye të operacionit. Logjika dhe linja e kompetencës do të kërkonte që ky operacion të drejtohej nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, por kryeministri habiti sërish, duke përzgjedhur edhe njëherë Arben Ahmetajt. Kjo zgjedhje, natyrshëm, është një shprehje e hapur mosbesimi për një nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë.
Që prej vitit 2018, Arben Ahmetaj fitoi gradualisht terren, duke u bërë një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës dhe një ndër ministrat më të pushtetshëm. Fillimisht ministër i Ekonomisë, ai mori edhe dikasterin e Financave, pasi teknicieni Shkëlqim Cani nuk mbijetoi dot gjatë në kupolën e Rilindjes.
Shpejt, Ahmetaj bindi Ramën t’i shkrinte Ministritë e Financave dhe atë të Ekonomisë, në drejtimin e tij. “Mbretërimi” i Ahmetajt në krye të Financave dhe Ekonomisë zgjati deri në fund të vitit 2018, kur Edi Rama në mënyrë të papritur e shkarkoi atë, së bashku me të njerëz të besuar të pesë viteve të qeverisjes së tij.
Kjo u interpetua si një përpjekje për t’i dhënë një shkundje qeverisjes, por edhe për të përcjellë në publik mesazhin se i vetmi i plotfuqishëm është Edi Rama dhe asnjë tjetër nuk duhet ta ndjejë veten të paprekshëm brenda Rilindjes.
Por, tërmeti i 26 nëntorit, fatkeqësi e madhe për Shqipërinë, rezultoi një ngjarje fatlume për Arben Ahmetajn, që u emërua ministër për Rindërtimin dhe u vendos në krye të procesit ku do të menaxhohen qindra milionë euro. Për fatkeqësinë e radhës, atë të koronavirusit, Edi Rama konfirmoi se njeriu që beson më shumë për problemet e ekonomisë është Arben Ahmetaj.
Më shumë se për rezultatet e prekshme të punës, Ahmetaj njihet për aftësinë e tij për të ndikuar kryeministrin, kur flitet për çështjet e lidhura me ekonominë.
Kontributi më i madh që Ahmetaj njihet të ketë dhënë gjatë qeverisjes së partisë Socialiste ka qenë promovimi i fortë i partneritetit publik-privat, si mjet për sigurimin e shërbimeve dhe kryerjen e investimeve publike.
Keqpërdorimi i PPP-ve është prej vitesh një prej temave të mprehta të debatit politik, sepse në Shqipëri ato janë aplikuar pa studime kosto-efektshmërie, pa garë ose me gara fiktive dhe janë sot një ndër kërcënimet më të mëdha për stabilitetin e financave publike të vendit.
Arben Ahmetaj njihet për lidhje të ngushta me Klodian Zoton, një nga kontraktorët e mëdhenj të PPP-ve, me projektet e inceneratorëve. Lidhjet e Ahmetaj me Zoton datojnë në fillimet e viteve 2000, kur Zoto ishte drejtor marketingu në kompaninë e atëhershme publike, Albtelecom.
Ahmetaj zotëronte një kompani të shërbimeve telefonike rurale, Hermes Comunications. Ahmetaj u pasurua duke përfituar kushte preferenciale në marrëdhëniet me Albtelecom, për kompaninë e tij Hermes Comunications, krahasuar me operatorët e atëhershëm ruralë.
Në atë kohë, rregullimi i tregut të telefonisë praktikisht nuk ekzistonte dhe ndodhte rëndom që ndërmarrjet publike të bënin miliarderë njerëz me pushtet ose persona të lidhur me ta.